Viti zgjedhor “rikthen” në punë të larguarit padrejtësisht – Në 2021 institucionet publike kanë zbatuar 78% të vendimeve të gjykatave, 64 në pritje!
Në të kundërt të viteve të mëparshëm, gjatë vitit zgjedhor 2021, Qeveria ka kthyer në punë një numër të madh nëpunësish të larguar nga administrata të cilët kishin fituar të drejtën në gjykatë. Në fund të vitit 2021, rezultojnë vetëm 64 nëpunës civilë gjyq-fitues në listë pritje, ndërkohë që janë kthyer në institucionet e mëparshme 231 nëpunës.
Të dhënat vijnë përmes raportit të Komisionit të Shërbimit Civil, sipas të cilit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve deri në datën 30.05.2019, kishte mundur të ekzekutonte vetëm 44 nga 187 vendime gjyqësore që kishin marrë formë të prerë në atë moment, ose 23% të rasteve, ndërsa në datën 31.12.2021 janë ekzekutuar 231 vendime, nga 295 vendime gjyqësore të formës së prerë ose e 78% e rasteve.
Raporti zbardh se nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Departamenti i Administratës Publike është konstatuar se janë ankimuar pranë Gjykatave Administrative 412 akte administrative përmes të cilave janë larguar ose liruar nga detyra nëpunës civilë.
Janë zgjidhur me vendim të formës së prerë 346 raste nga të cilat është rrëzuar kërkesëpadia në 51 raste ose 15% të tyre dhe është anuluar ose shfuqizuar akti administrativ i largimit/lirimit në 295 raste ose 85% të tyre.
Kostot e vendimeve gjyqësore në favor të nëpunësve të larguar padrejtësisht nga puna janë një peshë e rëndë që presin vit pas viti buxhetin e shtetit. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbardh se vetëm gjatë vitit 2020 afërisht 3.7 milionë dollarë. Një vit më parë u paguan afërisht 1.4 milionë dollarë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.