Vizita e Trump në Japoni/ Tregtia mënjanë. Luan golf dhe sheh sumo me Shinzo Abe
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, luajti golf gjatë fundjavës me Kryeministrin japonez, Shinzo Abe dhe prezantoi një trofe ndaj fituesit të një turneu sumo. Presidenti ka përdorur aftësitë e veta diplomatike për të dytën ditë gjatë vizitës së tij në Japoni, ku priteshin bisedime të ashpra tregtare.
Donald Trump është i pakënaqur me sufiçitin e madh tregtar të Japonisë me Shtetet e Bashkuara, dhe ka konsideruar vendosjen e tarifave të mëdha ndaj eksporteve japoneze të makinave, nëse nuk arrihet një marrëveshje dypalëshe tregtare.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë përfshirë gjithashtu në një luftë tregtare të kushtueshme, që ka tronditur tregjet financiarë në të gjithë botën. Trump, presidenti i parë amerikan që sheh sumo në vendin e origjinës së sportit, u prit me duartrokitje nga audienca.
“Në nder të arritjes si kampion i madh i sumo, unë të dhuroj kupën e presidentit të Shteteve të Bashkuara”, tha Trump.
Megjithatë, pavarësisht miqësisë, tregtia nuk u injorua. “Është bërë progres i madh në negociatat tregtare me Japoninë. Bujqësia ka qenë në qendër të bisedimeve”, shkroi Trump në Twitter.
Klevis Llaha /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.