Vjedhja e energjisë – OSHEE: Shkodra kryeson humbjet në rrjet, 155 procedime penale
155 abonentë janë proceduar penalisht nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në qytetin e Shkodrës.
Shkak i kësaj mase është bërë vjedhja e energjisë, ndërkohë që shkeljet janë konstatuar gjatë kontrolleve të ushtruara nga Task-Forca nga data 10 janar deri 15 shkurt.
Familjet dhe bizneset e proceduar nuk kishin një kontratë me OSHEE, ndërsa u konstatua vjedhje përmes lidhjeve të dyfishta jashtë sistemit të matjes; rilidhje e energjisë pas shkëputjes së saj për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve ashtu sikurse vjedhje përmes ndërhyrjes dhe dëmtimit të sistemit të matjes.
Kontrollet në Shkodër, Pukë, Lezhë e Koplik kryen në kuadër të konsolidimit të disiplinës në konsumin e energjisë elektrike dhe reduktimit të mëtejshëm të nivelit të humbjeve joteknike, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike po zbaton një plan ndërhyrjeje të veçantë në disa prej rajoneve më problematike.
Ndërkohë që, Agjencia e OSHEE regjistron nivelin më të lartë të humbjeve në rrjet. Sipas të dhënave statistikore, niveli i humbjeve në rrjet në vitin 2013 për këtë zonë arrinte në 61.8%.
Katër vitet e fundit është arritur të reduktohet konsiderueshëm niveli i humbjeve ndërsa në 2017 ato zbritën në 44.8%.
Për këtë arsye, një Task Forca e posaçme po vepron që prej ditëve të para të Janarit në këtë territor duke synuar zbulimin e vjedhjeve dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve.
Niveli i arkëtimeve të energjisë në Agjencinë Shkodër përfshirë Shkodrën, Pukën, Lezhën dhe Koplikun në vitin 2013 ishte 2,5 miliard lekë.
Ndërkohë që, në vitin 2017 u regjistrua një vlerë arkëtimi për këtë agjenci në vlerën 4.9 miliard lekë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.