Vjedhja e energjisë – Shkodër, në dy javë procedohen penalisht 51 abonentë
Procedohen penalisht abuzuesit me energjinë elektrike në Shkodër. Të dhënat e fundit nga Drejtoria Rajonale e OSHEE-së tregojnë për një punë të vazhdueshme kundër abuzimit me energjinë elektrike.
Në dy javët e fundit, përfshi edhe të dhënat e datës 8 gusht, janë proceduar penalisht 51 abonentë, me akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike në kundërshtim të plotë me ligjin. Mbi 65% e vjedhjes së energjisë është konstatuar në zonat e Koplikut dhe të Bushatit dhe forma më e përdorur është furnizimi me linja të dyta jashtë matjes, si edhe përmes manipulimit të matësit.
OSHEE bënë të ditur se po vijon kontrollet normalisht, duke u fokusuar tek ato fidra, ku humbjet në rrjet janë më të larta. Mesatarisht çdo ditë kryhen 70 kontrolle, kryesisht në fidrat me humbje më të lartë; në orët e pasdites dhe darkës. Operatori i shpërndarjes së Energjisë Elektrike përsërit se askush nuk kallëzohet në polici se është debitor ndaj faturave, por vetëm ata persona që vjedhin energjinë elektrike dhe dëmtojnë matësin.
Sipas OSHEE kontrollet do të vijojnë, për të shmangur evazionin ne sektorin e energjisë elektrike, për të vendosur barazi në këtë sektor; ku përfitimet nga zbatimi i ligjit në pagesat e faturave do të jenë shumë herë më të mëdha në favor të abonentit, dhe në investime për një shërbim më të lartë dhe cilësor.
Të dhënat më të fundit të publikuara nga OSHEE për gjysmën e parë të vitit tregojnë se niveli i humbjeve në rrjet ka shënuar nivelin e 25.4%, nga 28.6% që ishte në 2017. Ndërkohë, për këtë periudhë arkëtimet arriti në 33.4 miliardë lekë, ose 1.5 miliardë më tepër se në vitin 2017.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.