Vjedhjet në banesa / 800 forca policie patrullojnë 24 orë Durrësin, drejtori Shehu: “Nuk ka vend për panik”
Pas tërmetit shkatërrues të datës 26 nëntor që solli mjaft dëme në jetë njerëzish dhe materiale në Durrës, njerëzit kanë zgjedhur në disa raste të evakuohen nga banesat e tyre me urdhër të ekspertëve të verifikimit, ndërsa nga raste të tjera prej panikut të shkaktuar.
Mirëpo, braktisja e banesave ka sjellë një pasojë tjetër jo të zakonshme që shqetësoi banorët. Në prononcimet për media shumë prej tyre shpreheshin se ndiheshin të shqetësuar t’i linin shtëpitë e tyre vetëm, për shkak të hajdutëve që po vidhnin sendet e tyre materiale.
Në një komunikatë zyrtare Drejtoria Vendore e Policisë së Durrësit ka qetësuar të gjithë qytetarët për këtë shqetësim, duke u shprehur se policia në qarkun Durrës është në patrullim 24 orë në 7 ditë të javës, duke u ndihmuar edhe nga forcat speciale (Renea dhe FNSH) si dhe nga punonjës policie të ardhur nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
Më tej, Drejtori i Policisë Lorenc Shehu ka theksuar se s’ka asnjë vend për panik dhe ka ftuar qytetarët që të telefonojnë në numrin 112 për çdo problematikë që ata kanë, duke i garantuar se do gjejnë reagim të shpejtë e në kohë, edhe për ato problematika që nuk i përkasin Policisë, do t’i përcillen shtabit të emergjencës, në përbërjen e të cilit është edhe Policia e Durrësit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.