Vjeshta rikthen konsumin e cigares dhe kafesë – Shifrat e doganave/ Si ndryshoi importi nga COVID-19?!
Qytetarët shqiptarë kanë konsumuar më pak kafe dhe cigare gjatë 10-mujorit të këtij viti, ndërsa kanë rritur konsumin e karburantit. Pandemia COVID-19 ka dhënë efektet e saj në importin e mallrave të akcizës. Referuar treguesve të detajuar të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, vihet re se importi dhe rrjedhimisht edhe konsumi i cigares ka pësuar rënie në 10-mujor, duke bërë që të jetë shifra më e ulët e importuar në 5 vitet e fundit, e regjistruar në afro 2200 ton. Shkak për këtë është ka qenë edhe mbyllja apo kufizimi i kafeneve përgjatë periudhës pandemike.
Kështu edhe importi i kafes ka pësuar rënie të theksuar, duke u regjistruar në 6762 ton, shifra më e ulët që nga 2016-ta. Ndërkaq, është ulur edhe konsumi i birrës, ku janë importuar 35 mijë litra. Nga ana tjetër importi i karburantit ka pësuar rritje, që mund të ketë ardhur dhe si pasojë e mbylljes së transportit publik për një periudhë të caktuar kohe dhe rritje së përdorimit të automjeteve private.
Në 10 mujor, janë importuar 436 mijë litra karburant. Por po të shohim shifrat e muajve Shtator- Tetor, vihet një kthesë në këtë drejtim dhe se importi i duhanit dhe kafes ka filluar të rritet ndjeshëm, ku vetëm në dy muaj janë importuar 507 ton cigare dhe afro 1600 ton kafe, ndërsa e kundërta ka ndodhur me karburantin dhe birrën.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.