Vlerësimi i FATF: Shqipëria është në rrugën e duhur në gjurmimin dhe parandalimin e pastrimit të parave
Ministria e Financave njofton se Qeveria Shqiptare ka bashkëpunuar me FATF (Task Forca për Veprime Financiare), pjesë e së cilës është edhe Moneyval, për hartimin dhe zbatimin e Planit të Veprimit për Shqipërinë në kuadër të përmirësimit të sistemit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Sipas njoftimit të Ministrisë për më shumë se 1 vit, duke lënë mënjanë kushtet e pazakonta të pandemisë Covid-19, Shqipëria arriti të përmbushë në një kohë të shkurtër dhe përpara aftit të dakordësuar një sërë objektivash të Planit të Veprimit:
– Shqipëria përmbylli 6 analiza sektoriale për sektorë dhe produkte specifike me rrezik dhe ekspozim lidhur me “pastrimin e parave” dhe keqpërdorimin me format e ndryshme të veprimtarisë të personave juridikë. (Vëmendje e veçantë i është kushtuar sektorit të pasurive të paluajtshme, agjentët e pasurive të paluajtshme, avokatët, ekspertët kontabël.)
– Shqipëria rriti mbikëqyrjen e subjekteve raportuese me anë të inspektimeve në vend dhe në distancë për noterët, avokatët, audituesit dhe kontabilistët, shoqëri ndërtimi, zyra këmbimi valutor.
– Shqipëria ndërmori një sërë iniciativash të rëndësishme ligjore tashmë në zbatim si Ligji për Regjistrin e Pronarëve Përfitues dhe Regjistri I Llogarive Bankare, të cilat forcojnë masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
– Në kushtet e pandemisë, Shqipëria bëri të mundur një shtyrje të afatit të deklarimit pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit në zbatim të Ligjit për Regjistrin e Pronarëve Përfitues, duke i dhënë më shumë kohë sipërmarrësve dhe qytetarëve për të bërë një deklarim të plotë dhe pa penalitete.
Në informacionin e publikuar theksohet se të gjitha objektiva më sipër, janë mekanizma efektivë që do të ndihmojnë institucionet ligj zbatuese shqiptare për të rritur efektivitetin në gjurmimin dhe parandalimin e veprave penale të pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit.
FATF në Seancën Plenare të muajit Shkurt 2021 ka vlerësuar përparimet e Shqipërisë për nismat e ndërmarra ligjore, si dhe efektivitetin e sistemit mbikëqyrës dhe vlerëson se vendi është në rrugën e duhur për të përmbushur detyrimet e që rrjedhin nga Plani i Veprimit në afatet e rëna dakord.
“Përmbushja në kohë e këtij plani sigurisht do t’i japë Shqipërisë në muajt në vijim vlerësim pozitiv si nga ICRG – FATF dhe me besimin se organet e vetuara të drejtësisë do konfirmojnë pritshmëritë, edhe dalja e Shqipërisë nga lista gri do të jetë e afërt,” shkruhet në njoftim.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.