‘Fatura e Tërmetit’, lajmërohet konferenca mbi raportin e mbështetur nga BE, OKB dhe Banka Botërore
Në 5 shkurt, në “Europe House” një konferencë për shtyp do të mbahet nga z.Bledi Çuçi për të prezantuar Raportin e Vlerësimit të Nevojave pas Tërmetit.
Në këtë konferencë ku të ftuar do të jenë edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, z.Luigi Soreca, Koordinatori i Përhershëm i OKB në Shqipëri, z. Brian J. Williams, znj.Evis Sulko nga Banka Botërore, si dhe ekspertja e PDNA, znj. Natalia Rodriguez, pritet të shtjellohet puna e krijuar nga qeveria dhe planet në të ardhmen për menaxhimin e situatës.
Rreth 3 muaj pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit që mori jetë njerëzish dhe shkaktoi shumë dëme materiale, qeveria ka ndërmarrë hapat për të normalizuar gjendjen, duke krijuar kështu një Ministri të re të posaçme si ajo e Rindërtimit dhe duke vendosur z.Bledi Çuçin si Drejtues të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.
Gjithashtu ndihma të shumta kanë ardhur nga shtetet partnere të Shqipërisë, që së bashku me të gjitha fondet e tjera të mbledhura dhe të transferuara nga Buxheti i Shtetit kanë krijuar të ashtuquajturin Fondin e Rindërtimit. Ajo që pritet me shumë interes është edhe Konferenca e Donatorëve nga Bashkimi Europian, që pritet të zhvillohet në 17 shkurt në Bruksel.
Kërkesa kryesore e të gjithë partnerëve evropianë përpara Konferencës ka qenë fatura totale e tërmetit, gjë e cila pritet të prezantohet në konferencën e nesërme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.