Vlerësimi me yje i burgjeve shqiptare! E thotë “Google”, Vlora dhe Tepelena me “5 yje”, 313-a në Tiranë, e fundit
Gjigandi i kërkimit në rrjet, “Google”, është në gjendje të na ndihmojë në aspekte të panumërta, si psh. të na tregojë cilat janë restorantet më të mira, baret më të mira, a hotelet më të mira, duke na e bërë më të lehtë zgjedhjen, në bazë të vlerësimit që kanë dhënë vetë klientët.
Vlerësim nuk ka vetëm për këto lloj strukturash, por thuajse për çfarëdolloj institucioni, duke filluar që nga shkollat, e deri te burgjet. Për këto të fundit, nuk ka mundësi zgjedhje, dhe gjigandi i kërkimit nuk mund të na ndihmojë të bëjmë zgjedhjen më të mirë, por mund të na ndihmojë vetëm të bëjmë një vlerësim të përgjithshëm të tyre.
Duke bërë një kërkim në “Google” të të gjitha Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (I.E.V.P), në Republikën e Shqipërisë, në fund dalim me një listë të burgjeve më të “preferuara” dhe atyre më pak të “preferuara”, në bazë të vlerësimit të vetë njerëzve, me një sistem pikëzimi me yje, nga 1-5.
Cili është kështu burgu më i “pëlqyer” në vend, ai që merr notat maksimale?
Janë dy, me pikë të plota, 5 nga 5. Ai i Vlorës dhe ai i Tepelenës. Në vend të 3-të ndjek burgu i Reçit. Pesëshen e burgjeve më të mira në Shqipëri e mbyll burgu i Fierit dhe ai i Rrogozhinës, me nga 4.3 dhe 4 “yje” në “Google”, respektivisht. Dhjetëshja e burgjeve të cilat janë të vlerësuara në “Google”, dhe që në terma të përgjithshëm janë edhe burgjet më të mëdha të vendit, mbyllet nga burgu 313 i kryeqytetit. Ky është burgu më pak i pëlqyer, duke grumbulluar vetëm 2.3 pikë, raporton SCAN.
Edhe burgu tjetër i kryeqytetit, 325-a, grumbullon vetëm 3 “yje”. Në fund të tabelës janë edhe Durrësi, Peqini apo Shënkolli, me nga 3 pikë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.