Vodafone fuqizohet në Europë – Blen njësitë e Liberty Global për $22 mld, sfidon Deutsche Telekom
Grupi Vodafone arriti në dakordësi për të blerë njësitë në Gjermani dhe Europën Lindore të firmës amerikane të telekomunikacionit dhe televizionit Liberty Global për 18.4 miliardë euro.
Vodafone do të blejë Unitymedia, rrjetin e dytë më të madh kabllor në Gjermani, si dhe njësitë në Republikën Çeke, Hungari dhe Rumani të markës UPC. Transaksioni do të zgjerojë shtrirjen e Vodafone në këtë biznes, duke sfiduar kompaninë gjermane, Deutsche Telekom, nëpërmjet shkrirjes së shërbimeve në internet, telefon dhe televizion.
“Blerja përbën një kombinim transformues për Vodafone. Ne do të kthehemi në një lider për gjeneratën e ardhshme në Europë, duke shërbyer ndaj numrit më të madh të klientëve në të gjithë kontinentin”, deklaroi kreu ekzekutiv i operatorit të dytë më të madh në botë, Vittorio Colao.
Vodafone u rrit me 2.4% në vlerë tregu, ndërsa Liberty Global që listohet në New York, ra me 5.4%.
Vodafone do të paguajë 10.8 miliardë euro në para cash’ drejt Liberty Global dhe do t’i shërbejë borxhit prej 7.6 miliardë euro të kompanisë amerikane.
Deutsche Telekom, firma më e madhe e telekomunikacionit në Europë, bëri të ditur se marrëveshja do të shtrembërojë konkurrencën në Gjermani.
“Blerja do të krijojë një gjigant që do të mburret me teknologjinë konvergjente”, tha kreu ekzekutiv i DT, Tim Hoettges.
Marrëveshja do të përballet me mbikëqyrje të ashpër rregullatore në Gjermani dhe Bashkimin Europian. Kjo shënon arritjen më të madhe të Vodafone që kur doli nga tregu i SHBA në vitin 2014. Liberty Global do të qëndrojë në Britani, Irlandë, Zvicër, Belgjikë, Poloni dhe Sllovaki.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.