Volkswagen me fabrikë në Ballkan?
“Volkswagen ka vendosur të nisë negociatat konkrete për një fabrikë të re të prodhimit të shumëfishtë në Europë, me vendet e mbetura potenciale.”, tha kryetari Herbert Diess. “Vendimi u mor në takimin mbikëqyrës të majit, në mbledhjen e përgjithshme vjetore të Volkswagen në Berlin”, sipas një deklarate të postuar në faqen e internetit të kompanisë.
Agjencia e lajmeve në Gjermani, DPA njoftoi në prill se Volkswagen ka ngushtuar zgjedhjen e destinacioneve të mundshme për një fabrikë të planifikuar të makinave të reja në Bullgari dhe Turqi. Kandidatë të tjerë të mundshëm janë Rumania dhe Serbia.
“Oliver Blume tani është gjithashtu i ngarkuar me grupin prodhues dhe kohët e fundit u bë përgjegjës për Cilësinë e Grupit. Ai është duke përgatitur përzgjedhjen e vendndodhjes për fabrikën e re ‘multibrand’ që përmenda më parë,” tha Diess.
Në nëntor, Diess tha se kompania po kërkonte një vend për një fabrikë “multibrand” prej 1.6 miliardë euro, që pritet të fillojë prodhimin pas vitit 2022. Kompania planifikon të lëvizë prodhimin e Skoda Karoq dhe Seat Ateca SUVs në fabrikën e re, e cila do të punësojë 5.000 persona, nga uzina e Kvasiny në Republikën Çeke.
Sipas njoftimeve të mediave, Volkswagen do të marrë një vendim për vendndodhjen e fabrikës së saj të re në tetor. Gjasat që Volkswagen të vijë në rajon janë shumë të mëdha. Në rast se gjigandi botëror do të vendosë të vijë në Ballkan, përfitues nuk do të ishte vetëm vendi ku do të ndërtohej fabrika por të gjitha vendet e tjera të rajonit. Rritja e konkurrencës do të ishte avantazhi më i madh për vendet e rajonit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.