Volkswagen në SHBA, shitje rekord / Performanca më e mirë që prej 1973, prej modeleve SUV dhe elektrike
Njësia e Volkswagen në Amerikë deklaroi se ka shitur mbi 211,000 makina në gjysmën e parë të vitit, që është niveli më i lartë për periudhën në thuajse 50 vite, ndërkohë që pritet ta mbyllë vitin me mbi 400,000 shitje, sipas ekzekutivit dhe presidentit Scott Keogh. Njësia amerikane e gjermanes Volkswagen, ka patur mundësinë të rrisë volumin e shitjeve dhe pjesën në treg, falë portofolit të zgjeruar që është përqendruar kryesisht tek modelet SUV, përfshirë modelin e ri Taos dhe elektriken ID.4. Modeli i prodhuar në Gjermani, ID.4, arriti shitësit amerikanë më herët gjatë vitit dhe ka shitur 5,756 njësi në gjysmën e parë, me 85% e transaksioneve që kanë ardhur nga pronarë të makinave jo-elektrike. “Është makina më përfituese për shitësit tanë”- tha Keogh. ID.4 do nisë prodhimin në fabrikën në Tennesse në gjysmën e dytë të vitit 2022. Keogh tha se thuajse ¾ e shitjeve në SHBA të VW ishin SUV, që ka nxitur çmimin mesatar të shitjes pe rreth 4,000 dollarë nga viti i kaluar. Duke marrë parasysh mungesën botërore të mikroçipeve, Keogh tha se oferta e makinave mund të jetë e tkurrur në Korrik dhe Gusht, por do të rimëkëmbet në vjeshtë.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.