‘Volokopter’ – Taksia e parë fluturuese në botë, vjen pranë jush më shpejt se sa kishit menduar
Është një zog apo një avion? Jo, është volokopteri, avioni i parë në botë me ngritje dhe ulje vertikale (VTOL) plotësisht elektrik dhe sigurt. Mund të duket si diçka dalë nga një film fanta-shkencë i bazuar në një të ardhme të largët, por ky automjet do të hidhet në treg në shumë qytete anembanë botës vitin e ardhshëm.
Mjeti ishte një nga pikat kryesore të festivalit Greentech, një ngjarje në Berlin, e projektuar për të shfaqur teknologjinë dhe mundësitë e një të ardhmeje më të gjelbër. Festivali është ideja e ish kampionit botëror të Formula 1, Nico Rosberg, i cili është larguar nga jeta garave të makinave për t’u bërë një ‘luftëtar’ ekologjik. “Nuk është pas 10 vjetësh, është në fund të vitit të ardhshëm që do të komercializohet”, thotë Rosberg për CNN’s Supercharged. “Në vende si Dubai, Singapori dhe Gjermania. Është fenomenale, sepse kjo do të revolucionarizojë mënyrën se si po lëvizim dhe do të lehtësojë gjithashtu qytetet, sepse do të përdorim shumë lehtë hapësirën ajrore”.
Duke u ngritur dhe ulur vertikalisht, automjeti do të ofrojë një shkallë më të lartë sigurie, thotë kompania gjermane Volocopter si dhe do të transportojë pasagjerë dhe ndërrojë bateritë në ‘Volo Hubs’ dhe ‘Volo-Ports’. Volokopteri bazohet në teknologjinë e dronit dhe bateritë do të zëvendësohen nga robotët përpara çdo udhëtimi. Ajo synon të mbajë 100,000 pasagjerë në orë në mbarë botën brenda 10 viteve të ardhshme.
Me zero shkarkime në atmosferë si dhe pothuajse me mungesë të plotë zhurme, automjeti fillimisht do të jetë në gjendje të mbajë dy njerëz deri në 27 kilometra. “Natyrisht ka disa sfida që mbeten, por aspekti më interesant i tij: Nuk është vetëm për të pasurit dhe për të kamurit, sepse në momentin që do të bëhet autonom, do të kushtojë po aq sa kushton një taksi në ditët e sotme”, shpjegon Rosberg. “Pra, do të jetë me të vërtetë i arritshëm për shumë njerëz dhe unë mendoj se kjo është fuqia e saj.” E ardhmja e greentech është se po vjen tani! “Dhe nuk është më kompromis, nuk është si ju duhet të humbisni diçka. “Është e qëndrueshme, është shumicën e kohës edhe më e lirë, kështu që është këtu për të qëndruar dhe unë me të vërtetë shpresoj që të gjithë të mësojmë ta përqafojmë sepse është shumë, shumë e fuqishme dhe do të ketë një ndikim të madh”, shton ai. (CNN)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.