Volvo 100% elektrike – Pas 2019 nuk do prodhojë më motora me djegie
Të gjitha modelet e makinave të Volvos që do të dalin në qarkullim pas vitit 2019 do të jenë tërësisht elektrike ose hibride, duke u bërë kështu prodhuesi i parë i madh i makinave që vendos një datë të saktë të nxjerrjes nga qarkullimi të makinave që punojnë me motor me djegie.
Volvo vijon të qendrojë në Suedi por tashmë prej kohësh ka kaluar në duart e një kompanie kineze. Motorët me djegie do të vijojnë të prodhohen vetëm për makinat dhe modelet e prodhuara përpara vitit 2019.
Gjithsesi me kalimin e kohës, edhe këta motorë do të ndalen së prodhuari. Makinat elektrike dhe ato hibride aktualisht zënë një pjesë tepër të vogël të tregut global të automjeteve, por po njohin një rritje me ritme eksponenciale, duke detyruar thuajse të gjithë prodhuesit e makinave që të nisin punën për një model të tillë.
Volvo ndërkohë, duket se e ka vendosur të ardhmen 100% te makinat elektrike. Lajmin e bëri të ditur vetë drejtuesi ekzekutiv i Volvos. Të 5të modelet që do të prodhohen në vitet 2019-2021 do të jenë elektrike.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.