Votohet në Maqedoninë e Veriut – Dy partitë kryesore në garë të ngushtë, faktori shqiptar do të jetë përcaktues
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut i janë drejtuar këtë të Mërkurë qendrave të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e parlamentit të ri të vendit, që më pas të mund të zgjedhin një qeveri. Zgjedhjet e 15 korrikut ishin planifikuar më herët për në muajin prill, por u shtynë si pasojë e pandemisë. Opinioni ndërkombëtar i vlerëson këto zgjedhje si fatin europian të Maqedonisë së Veriut, pasi në garë janë social demokratët pro europianë dhe opozita nacionaliste.
Sondazhet flasin për një garë të ngushtë. Dy sondazhet e fundit flasin në një rast për fitore të ngushtë të partisë së Zoran Zaev dhe në rastin tjetër për fitore të ngushtë të Mickoskit nga VMRO-DPMNE. Gjithsesi, në të dyja rastet, dy partitë kryesore rezulton se do të kenë më pak se 25% të votave, ç`ka sinjalizon se do të duhen patjetër koalicionet për të formuar një qeveri.
Për këtë arsye, faktori shqiptar shihet si vendimtar, ashtu si edhe në zgjedhjet e kaluara. Bazuar në situatën aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, por edhe në sondazhet më të fundit, do të jenë zgjedhësit shqiptar dhe partitë e votuara nga ata, përcaktuesit e qeverisë së re në vend.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.