Vuçiç: Union doganor ballkanik. E kam biseduar edhe me kryeministrin Edi Rama
Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç priti të premten kancelarin austriak Christian Kern. Gjatë këtij takimi diplomatik, Vuçiç falenderoi homologun austriak për asistencën e Austrisë në zgjidhjen e krizës së emigrantëve, dhe interesin e shprehur nga Austria për rrugën drejt Bashkimit Europian të Serbisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.
Sipas gazetës serbe Blic, Vuçiç e ka njohur gjithashtu Kern me planin për krijimin e një tregu të lirë dhe unifikimin doganor në Ballkan.
Sipas Vuçiç, kjo do të ndihmojë në shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, çka edhe do të sjellë vendet më afër njëri-tjetrit.
Sipas kryeministrit serb, rreth 7 për qind të të ardhurave humbasin si pasojë e kamiovë që presin me orë të tëra në kufi. Vuçiç thotë se koha duhet të shkurtohet nga 20 orë, në dy orë.
“Kjo është ideja dhe iniciativa ime personale dhe është hera e parë që ia dorëzoj letrat kancelarit austriak. Ideja është të krijojmë një union doganor dhe një zonë shkëmbimi të lirë, e cila rrjedhimisht do të krijojë një treg më të madh e më tërheqës”, u shpreh Vuçiç.
Sipas Vuçiç, për planin, ai është konsultuar edhe me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Bosnjes dhe Hercegovinës Denis Zvizdic.
Vuçiç tha se ekonomia serbe mund të jetë një motor zhvillimi për Europën, ndërsa detyrë parësore ka ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Nga ana e tij, kancelari Kern theksoi domosdoshmërinë për vijimin e reformave. Ai i vuri rëndësi ndërtimit të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore si mjet zhvillimi. Kern u shpreh i gatshëm në emër të Austrisë, për të mbështetur integrimin e Serbisë në BE.
Me mbi 2.3 miliardë euro, Austria është investitori i huaj më i madh në vend.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.