Vullnetarët për fatkeqësitë, ja sa do paguhen – Kompensim 2,500 lekë për ushqimin, 3 mijë lekë për fjetjen, si dhe për transportin
Vullnetarët që do të përfshihen në operacionet e përballjes apo parandalimit të fatkeqësive natyrore do të përfitojnë kompensim për transportin, fjetjen, ushqimin, trajnimet, deri edhe sigurim për rreziqet ndaj të cilëve mund të ekspozohen gjatë bashkëpunimit të tyre me strukturat e mbrojtjes civile. Është publikuar tashmë në Fletoren edhe Vendimi që përcakton kuotat e pagesave që do paguhen nga shteti për secilin zë.
Gjithashtu, shteti merr përsipër t’u paguajë vullnetarëve ushqimin, sipas mënyrës së paracaktuar nga institucionet apo strukturat qendrore dhe vendore të mbrojtjes civile, pranë të cilave ofrohen vullnetarët, në varësi të situatës së krijuar, por jo më shumë se vlera prej 2 500 lekësh në ditë.
Akomodimi, është një tjetër shpenzim që do merret përsipër nga shteti,. Ai do vlerësohet në varësi të aktiviteteve të mbrojtjes civile apo operacioneve të parandalimit e të përballimit të fatkeqësive, dhe do të kryhet në formën e kompensimit, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, të paraqitur nga hoteli dhe të shoqëruar me faturën e printuar nga kasa elektronike fiskale, por jo më shumë se 3 000 lekë për çdo natë.
Ndërkaq, të gjithë këta persona do të sigurohen për dëmtime të mundshme shëndetësore apo edhe humbjen e jetës gjatë operacioneve. Shuma e përcaktuar në kontratën e sigurimit për çdo punonjës të siguruar, sipas vendimit, nuk mund të jetë më e ulët se 500 000 lekë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.