“WEF” promovon Shqipërinë – Indeksi i zhvillimit 2018, përmirësim me 10 pozicione
Shqipëria ka fituar plot 10 pozicione në renditjen e fundit të Forumit Ekonomik Botëror në raportin: “Indeksi i zhvillimit të përfshirë 2018”.
Ky indeks analizon 103 vende të ndryshme të botës dhe ka për synim që të masë zhvillimin e një vendi nëpërmjet analizimit të 11 faktorëve të progresit ekonomik të një shteti, veç atij të PBB për frymë.
Pra, raporti në tërësi ka për synim të ofrojë një matës të ri të mirëqenies së një shoqërie, ndryshe nga ai tradicionali, që është PBB për frymë. Në raportin e këtij viti, Shqipëria renditet e 28-ta, në listën e vendeve në zhvillim, mes 74 të tillash.
Një vit më parë renditej në vendin e 38 mes 78 vendesh. Progres ka jo vetëm në krahasim me të tjerët por edhe në krahasim me veten, pasi pikëzimi është ngjitur nga 4.02 në 4.08.
Në krahasim me rajonin, Shqipëria është lehtë poshtë Maqedonisë në renditje, dhe bindshëm sipër Serbisë, që pozicionohet e 43 në renditje. Pra, ndërkohë që duke llogaritur PBB për frymë Shqipëria renditet e 38 në botë, duke llogaritur faktorë të tjerë ekonomik, renditet e 28-ta.
Këta faktorë përfshijnë: Prodhimi në punë, jetëgjatësia dhe shëndeti, punësimi, të ardhurat neto, norma e varfërisë, pabarazia, kursimet, ndotja, borxhi publik, etj.
Ndër këto indikatorë, performanca më e keqe shënohet në drejtim të punësimit dhe borxhit publik.
Por, shqetësues mbetet faktoi se, kur bëhet fjalë për progresin në 5 vitet e fundit, Shqipëria është në fund të tabelës, sa i përket trendit të punësimit, uljes së varfërisë dhe sidomos të ardhurave mesatare mediane, ku ka një rënie.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.