“Wikipedia përfundimisht është e lirë” – Turqia lejon sërish aksesin pas 3 vitesh bllokim
Turqia po rivendos hyrjen në Wikipedia pas një ndalimi që zgjati gati tre vjet. Gjykata Kushtetuese e vendit vendosi që bllokimi i saj shkelte lirinë e shprehjes, raportoi gazeta pro-qeveritare Milliyet.
Enciklopedia online u bllokua në Turqi në prill 2017, pasi ajo refuzoi të fshijë artikujt kritikë për qeverinë e vendit. Ndalimi zgjati 991 ditë, tha organizata e monitorimit të internetit NetBlocks.org.
Fondacioni Wikimedia, i cili drejton shërbimin, nuk kishte pranuar të hiqte artikuj që thanë se qeveria e Turqisë kishte bashkëpunuar me të ashtuquajturin grupin e Shtetit Islamik dhe al-Kaedën në Siri.
“Jemi të emocionuar që njerëzit e Turqisë edhe një herë do të jenë në gjendje të marrin pjesë në enciklopedinë më të madhe globale në lidhje me kulturën dhe historinë e Turqisë në internet dhe të vazhdojnë ta bëjnë Wikipedian një burim të gjallë informacioni për Turqinë dhe botën,” është shprehur Wikipedia.
Wikipedia u bë tema kryesore në Turqi pas heqjes së bllokimit, raportoi Monitorimi i BBC. Gazeta lokale Hurriyet tha: “Wikipedia përfundimisht është e lirë”.
Jo të gjithë në Turqi mund të shfletojnë Wikipedia në këtë pikë. Shërbimi ka thënë se ndalimi po hiqet “gradualisht” dhe se disa ofrues të shërbimeve të internetit janë “ende në proces të rivendosjes së aksesit”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.