Xhaçka me homologun kroat: Bashkëpunim reciprok në fushën e mbrojtjes dhe fatkeqësive natyrore
Shqipëria dhe Kroacia shprehën gatishmërinë për të çuar më tej bashkëpunimin mes vendeve në fushën e Mbrojtjes dhe për ndihmën reciproke në rastet e fatkeqësive natyrore.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka priti në Tiranë në një takim homologun e saj kroat, njëherësh edhe zëvendëskryeministër, Damir Krstičević, në kuadër të 9-vjetorit të anëtarësimit në NATO të dy vendeve.
Rritja e kapaciteteve dhe modernizimi i Forcave të Armatosura ishin edhe dy çështje kryesore që u diskutuan gjatë takimit, sipas Xhaçkës, me qëllim zhvillimin e një plani të përbashkët bashkëpunimi.
“E njoha bashkëbiseduesin tim me synimet për modernizimin Forcave të Armatosura. Në këtë kontekst stafet tona të do shohin mundësinë e zhvillimit të një plani bashkëpunimi, duke vlerësuar fushat praktike dhe ushtarake të konvergjencës midis institucioneve tona dhe Forcave të Armatosura. Arsimi, trajnimi dhe stërvitjet e përbashkëta do të jenë fushat e mundshme dhe shumë frytdhënëse”, tha ministrja Xhaçka.
Më tej, palët diskutuan gjithashtu edhe mbi ndihmën reciproke në rastet e fatkeqësive natyrore, nga të cilat janë prekur dy vendet së fundmi. Duke vlerësuar angazhimin e Shqipërisë në të gjitha operacionet e NATO-s, ofroi mbështetje dhe bashkëpunim konkret në fushën e Mbrojtjes.
“Jemi të gatshëm dhe ofrojmë mbështetjen tonë që në të ardhmen e afërt të bëjmë policimin ajror të hapësirës shqiptare. 12 avionët që ne do të marrim deri në vitin 2022 nga aleati ynë , Izraeli, do na mundësojnë ne që të rrisim kapacitetin tonë për misione të tilla”, tha Krstičević.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.