Xhaketa smart që kontrollon pajisjet tuaja – Në vjeshtë del në shitje shpikja e Google dhe Levi’s
Google dhe Levi’s do të vijnë këtë vjeshtë me një veshje teknologjike: një xhaketë me të cilën mund të kontrollosh celularin, të quajtur Jacquard.
Produkti ishte planifikuar të dilte në pranverë, por kompleksiteti i teknologjisë së përdorur e kanë shtyrë datën kur do të jetë i disponueshëm në vjeshtë. Xhaketa do të ketë një çmim relativisht të kushtueshëm, pasi do të shitet për 350 dollarë.
Shpikja është bërë e mundur falë disa fibrave të cilat përcjellin të dhëna, të cilat janë të qepura në rroba. Në këtë mënyrë lëvizjet që ti bën në mëngën e majtë të xhaketës regjistrohen si prekje, njëlloj sikur materiali të ishte ekran. Këto prekje i transmetohen celularit përmes një pajisjeje bluetooth-i, e cila vihet si manshetë.
Fibrat përcjellëse janë shumë fleksibël dhe mund të lahen në lavatriçe, përveç pjesëve elektronike të manshetës, që duhen hequr para se të lahet.
Xhaketa është shfaqur në disa raste e plotë dhe funksionuese, por duket se është aplikacioni për celularin ai që ka shtyrë daljen në treg.
“Ne po bëjmë testime të vazhdueshme për konsumatorët duke perfeksionuar xhaketën dhe funksionet e saj. Duam të sigurohemi që të marrim kohën e nevojshme për ta bërë siç duhet dhe për të ofruar një eksperiencë të shkëlqyer për njerëzit”, tha një zëdhënës i Google.
Funksionaliteti i tanishëm duket se do të jetë i limituar tek hapja dhe mbyllja e telefonatave përmes një rrëshqitjeje në xhaketë, marrja e të dhënave GPS për çiklistët dhe ndërrimi i muzikës gjatë kohës që pedalojnë.
Google dhe Levi’s kanë ftuar shumë prodhues të tjerë aplikacionesh të shfrytëzojnë këtë mundësi për të ofruar edhe më shumë opsione tek përdoruesit e xhaketës.
Xhaketa do të ketë të paktën një funksion të integruar shumë mirë me jetën e përditshme, ndryshe nga orët e zgjuara, të cilat janë shumë të komplikuara dhe bezdisëse.
Ajo do të ofrojë një shërbim të nevojshëm për çiklistët që duan të përdorin celularin, pa rrezikuar veten e tyre për të parë celularin; dhe mbi të gjitha do të mbajë ngrohtë dhe do të duket bukur.
Pra, është një martesë e bukur mes teknologjisë dhe modës, që në të ardhmen do të prodhojë atë çka filmat na kanë premtuar kohë më parë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.