Xi do të takohet me Putin, në mesin e luftës tregtare amerikane
Presidenti kinez Xi Jinping do të udhëtojë të mërkurën për në Rusi për të takuar “shokun e tij më të mirë”, presidentin Vladimir Putin, duke forcuar kështu lidhjet ekonomike mes Moskës dhe Pekinit, në mesin e luftës së nxehtë tregtare të Kinës me Shtetet e Bashkuara. Në një intervistë për mediat shtetërore ruse TASS para udhëtimit, XI e quajti Putin “mikun më të mirë dhe më të ngushtë”, duke shtuar se ai e çmonte “miqësinë e tyre të thellë”. “Angazhimi im me Presidentin Putin është ndërtuar në një shkallë të lartë të besimit të ndërsjellë, që është themeli i fortë i miqësisë sonë të ngushtë dhe ne e trajtojmë njëri tjetrin me respekt, sinqeritet, mirëkuptim dhe besim”, tha ai.
Vizita e Xi vjen pasi lufta tregtare midis SHBA dhe Kinës vazhdon të ushtrojë presion mbi të dyja ekonomitë. Në fillim të majit, pas ndërprerjes së bisedimeve tregtare midis Uashingtonit dhe Pekinit, administrata Trump ngriti tarifat në 25% në 200 miliardë dollarë mallra kineze. Pekini u përgjigj duke ngritur tarifat mbi 60 miliardë dollarë të eksporteve amerikane dhe duke shkallëzuar propagandën e saj antiamerikane. Më 30 maj, qeveria kineze akuzoi SHBA për “terrorizëm ekonomik”.
Ndërkohë, marrëdhënia mes Xi dhe Putinit mbetet e fortë. Që nga viti 2013, të dy udhëheqësit janë takuar gati 30 herë, sipas mediave shtetërore. Takimi i tyre i fundit ishte në Samitin e dytë të ‘Belt and Road” mbajtur në Pekin në prill. Qeveria kineze ka vlerësuar rregullisht marrëdhëniet e saj me Moskën, sipas ministrit të jashtëm të vendit, marrëdhëniet mes dy vendeve ishin në “nivelin më të mirë të historisë së tyre”.
Kina është partneri më i madh tregtar i Rusisë, shumë para Shteteve të Bashkuara dhe vendeve europiane. Sipas Xi, volumi i tregtisë dypalëshe arriti në më shumë se 100 miliardë dollarë në 2018, duke u rritur me 30% nga viti i kaluar. Importet e Kinës nga Rusia u rritën me 42.7% në 2018. Ka patur edhe sugjerime në median shtetërore ruse që bizneset kineze mund të konsiderojnë lëvizjen e prodhimit në Rusi, nën presionin e luftës tregtare të SHBA-Kinës. “Këto rezultate të dukshme të bashkëpunimit tonë në biznes janë veçanërisht të vlefshme duke pasur parasysh mjedisin e tanishëm kompleks të tregtisë globale të ngadaltë dhe të investimeve dhe proteksionizmit në rritje në botë”, tha Xi për TASS.
Burimi: CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.