Yield-et rriten sërish – Bonot 12-mujore kalojnë pragun e 2%
Interesat e bonove të thesarit në tregun primar morën një hov të mëtejshëm në rritje në ankandin e të martës. Bonot me maturim 12-mujor kaluan pragun e 2% dhe u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 2.18%.
Rritja ishte në përmasa të konsiderueshme krahasuar me ankandin e mëparshëm, kur yield-i kishte qenë 1.92%. Ndryshe nga ankandet e mëparshme, të martën tregu nuk shfaqi shtrëngime likuiditeti dhe kërkesat në ankand kishin vlerën e 11.2 miliardë lekëve, ndjeshëm më shumë në raport me shumën prej 9.8 miliardë lekësh të shpallur për financim nga Ministria e Financave.
Kjo dëshmon se rritja e interesave tashmë lidhet edhe me ndryshimin e pritshmërive të agjentëve të tregut, duke ndikuar në çmimin që ata kërkojnë për të financuar deficitin e qeverisë.
Në analizën e saj, Banka e Shqipërisë gjykon se ndryshimi i kahut të interesave është diktuar kryesisht nga rritja e kërkesës së qeverisë për financim në tregun e brendshëm pas tremujorit të dytë.
Edhe pse interesi i sistemit bankar për të investuar në letra me vlerë ka vijuar të jetë i lartë, rritja e kërkesës së qeverisë ka ushtruar presione rritëse mbi yield-et. Rritja ka qenë lehtësisht më e madhe në maturitetet e ulëta, megjithatë, yield-et janë në nivele më të ulëta se një vit më parë.
Bankat tregtare janë financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare, me mbi 61% të stokut total.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.