Zaptim i pronës publike dhe ndërtim pa leje – Policia arreston në flagrancë 1 shtetas
Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit (IKMT) ka evidentuar tek Shkëmbi i Kavajës, një rast i zaptimit të pronës publike dhe ndërtimit pa leje duke arrestuar për pasojë në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.
Sipas njoftimit në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me IKMT-në, te Shkëmbi i Kavajës, para lokalit të shtetasit I. K. kanë konstatuar se ai kishte zaptuar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke, pronë publike plazh, duke e rrethuar me mur dhe plate betoni.
Policia e Shtetit ka bërë me dije se në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin I. K., 66 vjeç, banues në Durrës si dhe ndërkohë, IKMT ka plotësuar dokumentacionin për prishjen e këtij ndërtimi brenda 5 ditësh.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.