Zaptimi i hapësirave publike – Policia Bashkiake: Në 7 muaj, 9300 gjoba ndaj bizneseve
Policia Bashkiake e Tiranës ka ndërmarrë 9300 masa administrative ndaj subjekteve që kanë zaptuar hapësirat publike. Të dhënat i përkasin periudhës janar-korrik 2017, ndërkohë që gjobat variojnë nga 500-5000 lekë. Referuar legjislacionit në fuqi, kundërvajtësit janë të detyruar të paguajnë gjobën brenda 5 ditëve nga data e dhënies, pasi për çdo ditë vonesë gjoba paguhet me kamatë 2 për qind.
Ndërkaq, pёr shkeljet e pёrsёritura dhe tё gjobitura pёr mё tepёr se 3 herё organi inspektues ka të drejtë të marrë masёn e pezullimit prej 45 ditësh deri nё korrigjimin e mangësive tё konstatuara. Ndërkohë që, nëse subjekti nuk ndërmerr masat e nevojshme për të korrigjuar këto mangësi, brenda periudhёs sё pezullimit organi inspektues i sinjalizon organit autorizues nisjen e procedurёs sё anulimit tё lejes sё lёshuar pёr subjektin e interesuar.
Ky organ merr vendimin pёr anulimin e lejes brenda 15 ditёve nga marrja e sinjalizimit. Ndërkaq, përgjatë muajit gusht Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake ka vijuar punën për lirimin e hapësirave publike për të gjithë ato subjekte, që nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret për pajisjen me leje shfrytëzimi për hapësirën publike. Pajisja me këtë dokument është një detyrim ligjor dhe kushtëzohet nga pagesa e tarifës përkatëse sipas zonës ku ushtrohet aktiviteti.
Për zonën A, ku përfshihet qendra e Tiranës kjo tarifë është 1500 lekë/m2 në muaj, ndërsa për zonën B që përfshin bizneset Brenda unazës së mesme tarifa është 750 lekë/m2. Tarifë për të ulët paguajnë bizneset e vendosur në zonën C, ku përfshihen Njësitë Administrative Dajt, Kashar dhe Frakë, me 400 lekë/m2, në muaj.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.