Zbardhen 38 vjedhje banesash në qytetin e Beratit – Policia arreston në flagrancë 2 vëllezërit
Policia e Shtetit njofton se në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen e arrestimin e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale në DVP Berat, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Vëllezërit”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: A.H., 49 vjeç dhe F.H., 45 vjeç (vëllezër), të dy banues në lagjen “Jani Vruho”, Berat.
Sipas njoftimit këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke tentuar të vidhnin në banesën e shtetases A. A. Ndërsa nga veprimet hetimore të kryera dyshohet që këta shtetas të jenë autorë të 38 vjedhjeve të tjera të ndodhura në harkun kohor 2018-2021, në lagje të ndryshme të qytetit të Beratit.
Policia informon se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjetet që përdornin autorët për të kryer vjedhjet ndërkohë po vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, në fushën e vjedhjes së pronës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.