Zbardhet vendimi zyrtar/Pezullimi i kësteve të kredive për periudhën mars-maj 2020-Çfarë u vendos në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së
Masat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare me qëllim frenimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19, pritet të ndikojnë në vëllimin e aktivitetit të bizneseve dhe për rrjedhojë dhe në uljen e gjenerimit të nivelit të të ardhurave. Ngadalësimi i aktivitetit të njësive ekonomike mund të ndikojë në aftësinë paguese të këtyre subjekteve për tre muajt në vijim.
Në mbështetje të ekonomisë shqiptare në kushtet e situatës së krijuar në vend nga përhapja e infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
-Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë nga bankat dhe degët e bankave të huaja”
– Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”
-Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e shoqërive të kursim-kreditit dhe të unioneve të tyre”
Në secilën rregullore u shtua një dispozitë e përkohshme e cila u krijon lehtësi bankave dhe subjekteve financiare jobanka, si dhe shoqërive të kursim-kreditit dhe unioneve të tyre për periudhën mars – maj 2020, që në rastet kur evidentohen paaftësi paguese të kredimmarrrësve të mos jenë subjekt i zbatimit të kërkesave të këtyre rregulloreve që lidhen kryesisht me klasifikimin dhe krijimin e fondeve për provigjione.
Këto ndryshime nuk parashikojnë shpenzime buxhetore dhe as kosto shtesë për subjektet e këtyre rregulloreve
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.