Zbehet optimizmi, për tremujorin e tretë të 2016 ekonomia u rrit me 3.08%
Ekonomia shqiptare u rrit me 3.08% në tremujorin e tretë të vitit 2016, duke zhgënjyer disi pritshmëritë për një përmirësim progresiv të ritmeve të rritjes.
Kjo rritje është më e ulët në raport me rritjen prej 3.21% të tremujorit të dytë dhe sërish më e ulët se projeksioni i rritjes ekonomike vjetore, prej 3.4%. Sipas Institutit të Statistikave, rritja ekonomike u mbështet kryesisht nga shërbimet, ndërtimi dhe aktiviteti financiar.
Bujqësia ju rikthye rritjes pozitive, pas një serie të gjatë negative, ndërsa industria pësoi sërish rënie.
Tremujori i tretë dha rezultate të zbehta edhe për sa i takon rritjes së konsumit final të popullatës, që u zgjerua me rreth 1.65% kundrejt një viti më parë.
Ritmet më të larta të rritjes edhe në tremujorin e tretë i dhanë investimet, që u rritën me 11.89% krahasuar me një vit më parë.
Shumica e projeksioneve e vendosin rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2016 pranë nivelit 3.4%. Megjithatë, rritja ekonomike për 9-mujorin e vitit 2016, sipas INSTAT, rezulton rreth 3.27%, çka e zbeh disi optimizmin se rritja ekonomike e parashikuar mund të arrihet.
Duke e llogaritur tremujorin e katërt me një peshë specifike të përafërt me mesataren e tre tremujorëve të mëparshëm, për të arritur objektivin e rritjes do të duhet që në tremujorin e fundit ekonomia të rritet me rreth 3.8%. Një rritje tremujore e këtyre përmasave nuk regjistrohet prej rreth pesë vjetësh.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.