Zbret sërish indeksi i fertilitetit – Eurostat: Në Shqipëri, 1.37 fëmijë për çdo nënë, rekord historik
Të dhënat më të fundit të eurostat tregojnë se indeksi i fertilitetit në Shqipëri ka pësuar një tjetër rënie drastike gjatë vitit 2018 krahasuar me vitin paraardhës, duke zbritur në 1.37. Indeksi i fertilitetit sinjalizon numrin e fëmijëve që lind një nënë.
Ky numër, pra ai i pasardhësve të një çifti supozohet të jetë minimalisht 2, në mënyrë që të garantohet një shtesë natyrore e popullsisë. Një ndër arsyet kryesore të rënies së popullsisë shqiptare gjatë viteve të fundit është pikërisht rënia e këtij indeksi, që ka prekur tashmë nivelin më të ulët historik.
Janë të pakta shtetet europiane të cilat kanë një indeks fertiliteti më të ulët se Shqipëria, dhe në pjesën dërrmuese bëhet fjalë për shtetet të cilat kanë probleme të shumta demografike por edhe me popullsi ndjeshëm të mëdha në përgjithësi. Me një popullsi si e jona, lindshmëria kaq e ulët kërcënon seriozisht vijimësinë në një të ardhme. Kështu, në Europë janë Greqia, Italia, Spanja, Ukraina, Luksemburgu, Malta, Qipro vendet që kanë një indeks fertiliteti më të ulët se ne.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.