“Zbret” tatimi mbi pagat – Biznesi propozim për rrogat e larta, taksim 18 %
Biznesi do të propozojë në mbledhjen e së Mërkurës të Këshillit Konsultativ uljen e tatimit mbi pagat e larta në 18 për qind. Me marrjen e pushtetit në vitin 2013, qeveria “Rama” vendosi heqjen e taksimit të sheshtë mbi pagat prej 10 për qind dhe vendosjen e tatimit progresiv me sloganin “kush fiton më shumë, paguan më shumë”, duke bërë që rrogat e larta mbi 130 mijë lekë të taksoheshin 23 për qind.
Tashmë, duket se nga kjo politikë do të ketë një tërheqje. Ministria e Financave do të ulët në tavolinë me biznesin më 3 Tetor, për të diskutuar lidhur me paketën fiskale të vitit 2019. Një ditë më parë bizneseve u janë dërguar pikat kryesore të drafteve që pritet të rishikohen. Ndër ndryshimet më të rëndësishme janë ulja e dividendit, që aktualisht është në masën 15%, dhe rishikimi i kufijve të pages.
Me paga mbi 130 mijë lekë ka rreth 12 mijë të punësuar, ndërsa bizneset që ndajnë dividend janë një përqindje shumë e vogël nga rreth 100 mijë biznese që ka Shqipëria. Një vit më parë qeveria ka prezantuar një plan taksash ku parashikonte që të ulte dividentin në 6 për qind dhe tatimin mbi pagën për fashën e fundit në 18 për qind.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.