Zbulim i pazakontë në planetin Mars: Gjenden 2 molekula organike të pa gjurmuara kurrë më parë
Curiosity godet sërish. Ndërsa testonte një teknikë të re për gjetjen e gjurmëve të jetës aliene në Mars, roveri u ndesh me molekula organike të pazbuluara deri më tani që mund të japin disa të dhëna paraprake. Pasi morën një mostër dheu nga Dunat Bagnold në kraterin Gale, shkencëtarët analizuan materialin duke përdorur një metodë të bazuar në kiminë e lagësht. Provat, të cilat ndoshta nuk do të ishin zbuluar me një analizë më tradicionale, përshkruhen në një studim në Nature Astronomy.
Zbulimi: dy molekula të reja
Autorët nuk identifikuan aminoacide – njësitë bazë që përbëjnë proteinat – por praninë e acidit benzoik dhe amoniakut, molekula organike që sot hyjnë në listën e atyre të zbuluara në Mars, duke zgjeruar inventarin. Nuk është hera e parë që Curiosity zbulon gjurmë organike, por shkencëtarët në këtë rast nuk prisnin një tokë të pasur me këta përbërës, duke qenë se sipërfaqja është prekur prej kohësh nga rrezatimi jonizues. Substancat e identifikuara, edhe nëse nuk japin prova të jetës së kaluar, na japin të dhëna të dobishme për të kuptuar se nga vijnë dhe për të studiuar praninë e përbërjeve që lidhen me to. Qëllimi përfundimtar është analizimi dhe gjetja e bio-nënshkrimeve, të cilat janë tregues të formave të mundshme të jetës së kaluar në Mars.
Përdorimi i kimisë së lagësht
Në planetin Mars që nga viti 2012, në kraterin Gale, në mars 2017 Curiosity mori mostra nga Dunat Bagnold, një hapësirë dunash rëre që shtrihet për dhjetëra kilometra. Në dhjetor 2017, roveri i transferoi këto materiale në instrumentin Sam (Sample Analysis at Mars). Instrumenti kërkon dhe mat substanca organike dhe elemente të lehta që mund të lidhen me praninë e jetës së kaluar në planetin e kuq.
Sam është i pajisur me 74 “kupa” për të mbajtur dhe ekzaminuar mostrat, nga të cilat 65 janë bosh dhe e mbajnë materialin të nxehtë për ta studiuar atë, dhe 9 të tjera përfshijnë tretës për të analizuar mostrat në një mënyrë tjetër, siç ndodhi në këtë rast. Metoda e përdorur, e bazuar në kiminë e lagësht, përdor një përzierje kimike të veçantë. Pasi të merret, fragmenti futet në këtë përzierje e cila lejon zbulimin e përbërësve të ndryshëm, duke përfshirë molekulat e reja organike.
Zbulimi është pjesërisht rezultat i një rasti me fat: ndërkohë, në fakt, roveri kishte pësuar një mosfunksionim të lehtë, me thyerjen e një pjesëze të tij dhe gjithashtu për këtë arsye shkencëtarët vendosën të testonin teknikën e re. Roveri Perseverance, pasardhësi i Curiosity, i cili u nis në fund të korrikut 2020, po kërkon gjithashtu elementë që mund të vërtetojnë praninë e jetës së lashtë, por nuk e ka këtë instrument të bazuar në kiminë e lagësht.
Në vend të kësaj, kjo do të përfshihet në disa misione të ardhshme, duke përfshirë Rosalind Franklin (të Agjencisë Hapësinore Europiane dhe Roscosmos Ruse), të cituar nga autorët në vepër, nisja e të cilit është planifikuar për vitin 2022 brenda Exomars 2022. Misioni do të gërmojë deri në 2 metra thellë në sipërfaqen e planetit të kuq. Por misioni Dragonfly i NASA-s, një dron që do të lëshohet në vitin 2036 në sipërfaqen e Titanit, hënës më të madhe të Saturnit, do të jetë gjithashtu në gjendje të përdorë kiminë e lagësht. Wired
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.