Zbutet lufta tregtare Kinë-SHBA – Trump lajmëron se do vonojë rritjen e tarifave ndaj mallrave kinezë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të vonojë rritjen e tarifave ndaj mallrave kinezë, që pritej të ndodhte këtë javë, falë progresit në bisedimet për tregtinë. Ai tha se nëse progresi vazhdon, ai dhe presidenti kinez Xi Jinping, do të arrijnë në një dakordësi. Trump tha se ai do të planifikojë një samit me presidentin kinez në SHBA, për të përfunduar marrëveshjen. Trump kishte planifikuar rritjen e tarifave në 25% nga 10%, ndaj 200 miliardë dollarë mallrave kinezë të importit, nëse nuk arrihet një marrëveshje mes 2 ekonomive më të mëdha në botë.
Presidenti amerikan bëri të ditur në një publikim në Twitter se është bërë progres në shumë fusha, përfshirë mbrojtjen e pronës intelektuale, transferimet e detyrueshme të teknologjisë, bujqësi dhe mbi valutën. Për rrjedhojë, ai tha se do të vonojë rritjen e tarifave, që ishin planifikuar më datë 1 Mars. “Duke marrë parasysh se të dyja palët kanë bërë progres, ne do të planifikojmë një samit, për të përfunduar marrëveshjen. Do të jetë një fundjavë e mirë për Kinën dhe SHBA”, tha Trump.
Vonesa e tarifave solli shenjën më të qartë deri më tani për një dakordësi nga të dyja palët, që kur u arrit armëpushimi prej 90 ditësh vitin e kaluar. Kjo është pritur me pozitivitet nga tregjet financiarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.