Zbutet recesioni, ekonomia ra me 3.3% në 2020-ën – Ekonomia u zgjerua me 2.99% në T4, Ndërtimi, “lokomotiva” e rritjes
Të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se ekonomia shqiptare i është rikthyer termave të rritjes në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, duke tejkaluar të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështu, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2019, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto fiksohet në masën 2.99%. Kjo shifër ka pasur ndikim edhe në vlerësimin përfundimtar të recesionit ekonomik gjatë 2020-ës. Sipas Ministres së Financave dhe Ekonomisë, recesioni gjatë vitit të kaluar ka qenë në masën -3.3%, thuajse sa gjysma e parashikimeve fillestare.
Kontributin më të madh në zgjerimin e ekonomisë gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar e ka dhënë sektori i ndërtimit, me 1.8 pikë përqindje. Ky sektor regjistron një rritje prej rreth 18.5% në terma vjetorë. Duhet kujtuar se krahasimi bëhet me një tremujor i cili është ndikuar pjesërisht nga një tjetër krizë e rëndë që goditi vendin tonë, atë të tërmetit të nëntorit 2019. Bujqësia, tregtia/transporti/akomodimi si dhe taksat neto, janë të vetmit kontribues negativ në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto. Edhe në terma vjetorë këta sektorë regjistrohen në rënie. Për sektorin e tregtisë dhe transportit me hotelerinë, rënia në terma vjetor është në rreth 5.5%, ndërkohë që për bujqësinë fiksohet pranë 2.9%.
Pas ndërtimit, aktiviteti që regjistron rritjen më të mëdha në terma vjetorë, me rreth 11.4% është ai i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit. Ndjekin pasuritë e paluajtshme, me 68.9% rritje në terma vjetorë. Konsumi final i popullatës ndërkohë regjistrohet në rritje me 1.6% krahasuar me tremujorin e fundit 2019, tregojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave në vend.
Në terma tremujorësh, pra krahasuar me periudhën qershor-shtator, industria nxjerrëse dhe aktivitete financiare regjistrojnë rritjen më të madhe me më shumë se 9%, ndërkohë që bujqësia rezulton të jetë e vetmja në rënie. Konsumi final i popullatës në terma tremujorësh ndërkohë u rrit me 2.91% gjatë tremujorit të fundit 2020.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.