Zero TVSH për inputet bujqësore – Ulen kostot për fermerët, shmanget kontrabanda
Fermerët nuk do të blejnë më inpute bujqësore me TVSH, çka do të thotë se do të paguajnë më pak për produktet bazë që përdorin në mbjelljen e tokës së tyre. Propozimi i bërë nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë pak ditë më parë, tashmë është bërë zyrtar. Kreu i Komisionit Erion Braçe, ka njoftuar se TVSH-ja do të jetë zero për të gjitha inputet bujqësore për çdo bujk.
Kjo lehtësi është bërë pjesë e paketës fiskale dhe do të kalojë për votim në Komisionet Parlamentare e më tej në seancë plenare. Ndërkaq, është vendosur gjithashtu që do të vijojë rimbursimi 10 për qind për çdo lek prodhimi të shitur nga fermerët.
Sipas Braçes, kjo iniciativë, e cila është një mbështetje e drejtpërdrejtë për fshatin, do të sjellë ulje të kostos së punës së bujkut, rritje të produktivitetit, shmangje të kontrabandës së këtyre produkteve si dhe më shumë kontroll sa i përket cilësisë së tyre. Efektet nga kjo iniciativë në buxhetin e shtetit llogaritën në rreth 10 milionë euro.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.