Zgjedhjet 2021, ndryshojnë pagat e zyrtarëve. Planveprimi i DAP: Deri në fund të 2020 rishikohet raporti mes pagave në administratë
Duket se viti zgjedhor 2021 do të shënojë një reformë në pagat e nëpunësve të administratës publike. Televizioni Scan ka zbardhur Planin e Veprimit të rishikuar të Strategjise Ndërsektoriale te Reformës ne Administratën Publike 2018-2022, i cili ngarkon Departamentin e Administratës Publike që në tremujorin e fundit të këtij viti të rivlerësojë raportet mes pagave minimale e maksimale në sektorin shtetëror. “Raportet mes pagës maksimale dhe pagës minimale/mesatare në administratën publike, të rishikuara me qëllim ruajtjen e një piramide objektive të pagave dhe motivimin e pozicioneve drejtuese si edhe diversifikimi i klasifikimit sipas përmbajtjes së punës”, theksohen në Planin e Veprimit, ku si afat kohor është vendosur tremujori i fundit i vitit 2020.
Ndërkaq edhe Kuvendi i ka kërkuar Departamentit të Administratës Publike që deri në gjysmën e parë të vitit 2021 të ketë gati dokumentin për reformën e pagave në sektorin shtetëror. Në raportin për vlerësimin e aktivitetit për vitin 2019, Kuvendi i kërkon Departamentit të Administratës, të vlerësojë edhe ndikimin në buxhet të pagave të reja si dhe hapat që duhet të ndiqen për implementimin e tyre.
“Brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 të përmbyllë punën për konsultimin e dokumentit për reformën e pagave, evidentimin e efekteve financiare dhe planifikimin e hapave në vijim për implementimin e kësaj reforme. Të përshtatë pagat në varësi edhe të angazhimeve dhe të detyrave që nëpunësit përmbushin, si rrjedhojë e detyrimeve të ligjeve të veçanta, siç është edhe ligji nr.60/2016, “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, shkruan Kuvendi në Rezolutën për aktivitetin e DAP për këtë vit.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.