Zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kavajës, Rama: “I kam sugjeruar kandidatit tonë të tërhiqet nga gara të dielën”. Reagon Presidenti Nishani
Këtë të dielë në Kavajë mund të mos mbahet procesi zgjedhor për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri. Në një dalje për mediat, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se i ka sugjeruar kandidatit të forcës së tij politike që të tërhiqet nga gara me qëllim që të shmangen të papriturat e tensionet.
Në këtë proces të pjesshëm zgjedhor opozita nuk ka pranuar të marrë pjesë ndërsa ka paralajmëruar protesta.
Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar kreu i shtetit Bujar Nishani. Në një deklaratë për mediat, Presidenti ka vlerësuar qendrimin e kryeministrit si një mundësi për vijimin e dialogut.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani e vlerëson qëndrimin e Kryeministrit për shtyrjen e zgjedhjeve për Kryetarin e Bashkisë së Kavajës si një mundësi për të vijuar dialogun politik mes palëve për të gjetur një zgjidhje kompromisi të krizës politike në vend. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës vijon të nxisë mbajtjen hapur në vijimësi të dialogut mes palëve” shkruhet në njoftimin e Presidentit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.