Zgjedhjet e qershorit, KQZ, 31 milionë lekë për bojë dhe vulat e sigurisë
Kur në publik sot po flitet gjithnjë e më shumë për zgjedhjet, koalicionet, mundësitë e shtyrjes apo respektimin e afateve duket se Komsioni Qëndror i Zgjedhjeve jep edhe përgjigjen e tij.
Pak ditë më parë është hapur edhe procedura për blerjen e bojës për zgjedhësit dhe vulat e sigurisë që do të kenë kutitë e votimeve. Për të siguruar këto materiale nga ana e Komisionit janë vendosur në dispozicion 31 milionë lekë dhe ofertat mbyllen brenda datës 11 prill.
Sipas specifikimeve në vendimin e KQZ boja ka disa karakteristika: Bojë timbruese e dukshme me shikim të lire, nuk hiqet në jo më pak se 24 orë nga koha e timbrimit, me efekt të menjëhershëm, ngjyra : e zezë, e padëmshme për organizmin, e pa cënueshme nga agjentë atmosferikë.
Për sa i përket ngjyrës së vulës/kodeve që dërgohen në KZAZ për mbylljen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore, është menduar të jenë të reja, me ngjyrë bezhë dhe me numër unik 6 shifror, duke qenë se janë përdorur të gjitha ngjyrat në zgjedhjet e mëparshme.
Kodi Zgjedhor përcakton se kodet rezervë që i dërgohen ç’do qendre votimi, duhet të kenë ngjyrë të ndryshme. Për kodet rezervë është menduar të jenë të reja me ngjyrë jeshile të errët” përcakton vendimi.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.