Zgjedhjet europiane shkaktojnë zgjedhje të parakohshme në Greqi
Kryeministri grek Alexis Tsipras ka thënë se do të kërkoj zgjedhje të parakohshme kombëtare, pas një humbjeje të rëndë nga konservatorët e opozitës në Parlamentin Evropian dhe në sondazhet lokale. Me një ‘goditje’ të papritur në kutinë e votimit të dielën për partinë e tij të majtë Syriza, Tsipras vendosi të mos vazhdojë deri në një mandat të plotë që skadon në tetor. Një datë e mundshme për votimin është 30 qershor.
“Pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale (më 2 qershor), unë do t’i kërkoj presidentit (republikës) që menjëherë të zhvillojë zgjedhje kombëtare,” tha Tsipras. “Rezultati elektoral nuk është i denjë për pritjet tona“, shtoi Tsipras, i cili kishte thënë se sondazhet e së dielës do të ishin një votë besimi në politikat e qeverisë së tij.
Me rreth një të tretën e qendrave të votimit, Syriza mori më pak se 24% të votave evropiane në krahasim me më shumë se 33% të partisë kryesore kundërshtare konservatore Demokracia e Re.
Edhe në zgjedhjet lokale, rezultatet e hershme treguan Demokracinë e Re në krye, ose kishte siguruar tashmë mazhoritetin e votave në 13 rajonet e Greqisë.
Kreu i Demokracisë së Re Kyriakos Mitsotakis kërkoi dorëheqjen Tsipras, duke thënë se ai kishte humbur mandatin popullor.
“Kryeministri duhet të marrë përgjegjësitë e tij. Për të mirën e vendit ai duhet të japë dorëheqjen dhe vendi duhet të mbajë zgjedhje kombëtare, sa më shpejt të jetë e mundur“, tha Mitsotakis.
Ndërkohë, vendimi i Tsipras për ti dhënë fund mosmarrëveshjes së emrit të Maqedonisë së Veriut rriti përkrahjen e partnerëve europianë por uli popullaritetin e tij brenda Greqisë.
Për shumicën, përdorimi i emrit të Maqedonisë është përvetësimi i trashëgimisë greke nga fqinji i vogël i vendit. Pavarësisht, Tsipras nënshkroi marrëveshjen për ndryshimin e emrit në qershor, në brigjet e liqenit të Prespes në kufi me Shqipërinë, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Burimi: Al Jazeera
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.