Zgjedhjet me listat e hapura, Basha: “Frika kryesore e kryeministrit, koalicionet opozitare parazgjedhore”
Sipas kreut të partisë Demokratike Lulzim Basha zgjedhjet e lira dhe të ndershme po e trembin kreun e qeverisë Edi Rama. Në një konferencë për mediat Basha shton se për këtë arsye Rama po kërkon ndryshime kushtetuese.
Koalicioni opozitar përpara zgjedhjeve, sipas kryedemokratit Lulzim Basha , është frika kryesore e kryeministrit Edi Rama. Në një konferencë për mediat Basha u shpreh se e drejta për të bashkëpunuar në konkurrimin politik po e frikëson kreun e qeverisë i cili sipas Bashës i trembet zgjedhjeve të lira e të ndershme ndaj kërkon ndryshime kushtetuese.
‘Diskutimi i sotëm nuk është për listat e hapura, por koalicionet parazgjedhore, që kanë qenë përherë një realitet i pluralizmit politik, e drejta për të bashkëpunuar në konkurrimin politik. Ky është halli i vërtetë i Edi Ramës, sot ranë edhe dorezat dhe maskat. Shqetësimi i Edi Ramës është një, koalicioni opozitar. Maska ra se deri tani ishte vendosur si alibi për këtë kërkesë një grup njerëzish që nuk përfaqësojnë asnjë, që këtu në këtë sallë nënshkruan heqjen dorë nga mandati dhe më pas u blenë me para të thata dhe leje ndërtimi.
Ata janë mall i blerë nga Edi Rama, u përdorën mish për top. Ishin këta që propozuan heqjen e koalicioneve, ndërkohë që këta janë të interesuar për koalicionet apo për pragun, nuk ka budalla se Edi Rama do listat e hapura, ai është i tmerruar
Me tej kreu i PD nënvizoi se me çdo lloj sistemi problemi është bashkëpunimi i krimit me politikën, pa zgjidhur këtë çdo sistem do të dështojë.
“Problemi në Shqipëri nuk është sistemi, jo shpata, por krahu. Me çdo lloj sistemi problemi është bashkëpunimi i krimit me politikën, pa zgjidhur këtë çdo sistem do të dështojë. Një sistem me lista të hapura sa kohë që nuk shkëputet lidhja e politikë me krimin nuk përbën garanci për shqiptarët. Nëse Edi Rama do të kishte interes për të diskutuar për listat e hapura nuk do ta linte pazar të fund-korrikut. Vendimi për sistemin u takon shqiptarëve me referendum”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama në adresën sociale Twitter i cili shprehet se kjo frikë nuk ekziston dhe se është populli ai që vendos se kush fiton dhe kush humb zgjedhjet.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.