Zgjedhjet në Itali – Blloku i Berlusconit shihet i pari, por nuk pritet të marrë shumicën
Italianët i janë drejtuar qendrave të votimit këtë të Diel, ku rezultati mund të sjellë një “ngërç” politik, ndërkohë që fushata është karakterizuar nga shqetësime në lidhje me ngadalësimin e ekonomisë, papunësisë së lartë dhe emigrimit.
Sondazhet tregojnë se partia e qendrës së djathtë e ish-kryeministrit Silivio Berluskoni dhe aleatët e djathtë do të rezultojnë blloku më i madh në parlament, por që nuk pritet të fitojnë mazhorancën.
Lëvizja populiste 5-yjet pritet të jetë partia e vetme më e madhe, duke marrë mbështetje prej shqetësimeve në lidhje me korrupsionin dhe rritjen e varfërisë, ndërsa Partia Demokratike pritet të dalë në vend të 3-të.
Me një barrë të madhe të borxhit, Italia është ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës dhe pavarësisht se investitorët kanë qenë optimistë përpara votimit, një “ngërç” politik i tejzgjatur mund të sjellë përsëri rrezikun e destabilitetit në tregje.
Qendrat e votimit mbyllen në orën 23:00 dhe sondazhet do të publikohen menjëherë. Fushata ka shënuar rikthimin në krye të politikës të 81-vjeçarit, Silvio Berlusconi, që është detyruar të japë dorëheqjen si kryeministër në vitin 2011, gjatë kulmit të krizës së borxhit sovran.
Prej akuzimeve në vitin 2013 për mashtrime tatimore, ai nuk mund të mbajë poste publike, e për rrjedhojë, ka prezantuar presidentin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani, si kandidatin e tij për kryeministër.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.