Zgjedhjet në Kosovë – 91% numërimi i votave, koalicioni i Haradinaj kryeson, Vetëvendosja e dyta
Nga 91 për qind e votave të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma ka fituar 34.6 për qind të votave.
Lëvizja Vetëvendosje renditet e dyta me 26.7 për qind, ndërsa koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa me 25.8 për qind të votave renditet i treti.
Lista Serbe ka fituar mbi 5 për qind dhe renditet e katërta. Më pas vjen Fjala 1.03 për qind, Partia Demokratike Turke e Kosovës 1.01 për qind. Partitë tjera janë nën një për qind.
Kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, tha se Kosova e ka kaluar sprovën me zgjedhjet e 11 qershorit dhe votuesit i kanë dhënë besimin këtij koalicioni. Në mesnatë ky koalicion kremtoi në qendër të Prishtinës.
Në festë u hodh edhe lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se është subjekti i parë politik, ndërsa Lidhja Demokratike kërkoi që të priten rezultatet zyrtare. Rezultati i lëvizjes Vetëvendosje është befasia e këtyre zgjedhjeve. Në zgjedhjet e vitit 2014 ajo kishte fituar 13.5 për qind të votave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.