Zgjerimi i internet banking nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri
Shërbimi i internet banking po fiton një rëndësi në rritje në marrëdhëniet e sistemit bankar me publikun. Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin e kaluar numri i llogarive të lidhura me internetin u rrit me 37%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, janë rreth 209 mijë llogari të aksesueshme përmes internetit, numër që përfaqëson rreth 6% të totalit të llogarive që mbahen në sistemin bankar shqiptar.
Në vitet e fundit, bankat kanë ndryshuar qasje, duke e bërë shërbimin më lehtësisht të aksessueshëm, duke rritur fleksibiliteitn dhe duke ulur kostot për përdoruesit. Valbona Dhjaku, drejtore e departamentit të teknologjisë së Informacionit në Credins Bank, thotë për TV Scan se shërbimi i internet banking tashmë nuk më një zgjedhje, por një domosdoshmëri për bankat.
“Banka duhet të jetë absolutisht e ndërgjegjshme që internet-banking nuk është më thjesht një opsion, që banka jonë e ofron këtë shërbim, nuk është më risi. E-banking duhet të jetë mjaftueshmërisht konkurrues me shërbimet që ofrojnë edhe bankat e tjera. Përfitimet që ka banka e-banking, jo gjithmonë janë të drejtpërdrejta, sepse platformat e internet-banking janë të kushtueshme. Banka Credins ka investuar shumë në e-banking, si në software, në investime hardware”.
Zonja Dhjaku se tashmë Credins Bank ka afërsisht 58 mijë llogari të lidhura me internetin dhe, sidomos pas vitit 2013, numri i përdoruesve është rritur me ritme të shpejtë.
Ekspertët mendojnë se zgjerimi i penetrimit të internetit në shoqërinë shqiptare, por, edhe forcimi i kulturës financiare janë bazat për masivizimin e këtij shërbimi në të ardhmen. Në veçanti më të rinjtë, atë që janë rritur në epokën e internetit do ta shohin shërbimin përmes internetit si një nevojë të domodoshme në marrëdhënien me bankën.
Një nga arsyet që i bën individët hezitues në përdorimin e shërbimeve të e-banking është shqetësimi për sigurinë. Zonja Dhjaku shprehet se platformat në vetvete janë shumë të sigurta dhe hallka më e dobët nga përvoja është vsjellja e përdoruesit. Sipas saj, me respektimin e disa rregullave bazë nga klientët, bankingu përmes internetit është plotësisht i sigurt.
Nga 16 banka që veprojnë në Shqipëri, 12 prej tyre ofrojnë tashmë shërbimin e e-banking, ndërsa duke parë tendencat botërore nuk ka dyshim që në të ardhmen ky shërbim do të jetë pjesë e domosdoshme e veprimtarisë së çdo banke.
Pritet që këtë vity sistemi bankar shqiptar të investojë afro 20 milionë euro në teknologji dhe një pjesë e madhe e këtyre invesitmeve lidhet pikërisht me infrasturkturën e e-banking. Në perspektivë, industria bankare me shumë të ngjarë do të shkurtojë praninë e saj fizike, për të marrë gjithnjë e më shumë një dimension virtual, ku më shumë produkte dhe shëbrime do të ofrohen në kanale elektronike.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.