Zgjerohet Euronext – Blen bursën e Irlandës, qendër e famshme për fondet e listuara në bursë
Euronext po zgjerohet në Irlandë, duke blerë bursën e vendit, që është një qendër e famshme e fondeve të listuara në bursë (ETF), vend që pritet të përfitojë ndërkohë që aktivitetet financiare dalin nga Britania pas Brexit. Operatori i bursave në Amesterdam, Euronext, ra dakord të blejë Irish Stock Exchange për 137 milionë euro. Aksionet e kompanisë u rritën me 3.5%.
Blerja i jep Euronext një vend këmbimi të titujve të kapitalit në Irlandë, por gjithashtu një treg të letrave me vlerë të borxhit si dhe qendrën më të madhe në Europë për fondet e listuara në bursë (ETF). Irlanda, që do të jetë vendi i 6 ku ka prezencë Euronext, pritet të pranojë vende pune nga banka me seli në Londër përfshirë Barclays, që ka lajmëruar se do të transferojë stafin pas Brexit.
“Bursa me seli në Dublin, pritet të përfitojë nga mundësitë që do të ofrohen në tregje pas Brexit. Blerja sjell një pozicion lider global në tregjet e borxhit dhe fondeve të listuara në bursë”, deklaron kreu ekzekutiv i Euronext, Stephane Boujnah.
Në 9 muajt e parë të këtij viti, të ardhurat përpara interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit (EBITDA) të operatorit irlandez, u rritën me 22% me bazë vjetore në 8.5 milionë euro. Kreu ekzekutiv i bursës së Irlandës, Deidre Somers do t’i bashkohet manaxhimit të Euronext. Kjo marrëveshje pritet të përfundojë në tremujorin e parë 2018 dhe është subjekt i miratimit rregullator.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.