Zgjerohet perandoria “Disney” – Blen njësinë e filmit dhe televizionit nga Fox për $52 mld
Walt Disney ka arritur një marrëveshje për të blerë biznesin e filmit, televizionit dhe atë ndërkombëtar nga Twenty-First Century Fox i Rupert Murdoch, për 52.4 miliardë dollarë në aksione, duke i dhënë kompanisë një arsenal të shfaqjeve e filmave për të konkurruar ndaj rivalëve dixhital si Netflix dhe Amazon.
Marrëveshja sjell drejt një përfundimi periudhën 50-vjeçare të rritjes nga Murdoch, i cili transformoi gazetën australiane të trashëguar nga babai i tij në moshën 21-vjeçare, në një nga konglomeratët më të rëndësishëm në botë të lajmeve dhe filmit. Kompania e re Fox do të fokusohet vetëm te lajmet televizive dhe sporti.
Sinjalet paraprake tregojnë se marrëveshja nuk do të bllokohet nga rregullatorët e konkurrencës, si ç’ndodhi me ofertën e AT&T për të blerë Time Warner. Donald Turmp që e sulmoi rastin e fundit, përgëzoi Rupert Murdoxh për marrëveshjen.
Aksionet e Fox, që janë rritur me më shumë se 30% që kur nisën bisedimet në Nëntor, u mbyllën me 6.5% rritje në tregtinë e fundit. Disney planifikoi të riblejë 20 miliardë dollarë të aksioneve të veta, për t’u përgatitur nga marrëveshja që do të jetë plotësisht në aksione.
Disney pret gjithashtu përfshirjen e borxhit të Fox prej 13.7 mld dollarë në ujdi. Aksionerët e Fox do të marrin 0.275 aksione të Disney për çdo aksion që zotërojnë te Fox dhe do të zotërojnë në fund thuajse 25% të Disney.
Nën këtë dakordësi që pritet të mbyllet në 12-18 muajt e ardhshëm, Disney do të blejë biznesin e filmit, studiot televizive, rrjetin kabllor dhe biznesin ndërkombëtar të televizionit. Kjo do të bashkojë ekskluzivitete si “Avatar” dhe “Simpsons”, përveç blerjeve të mëparshme nga Bob Iger, përfshirë Pixar, Marvel dhe prodhuesin e “Star Wars” Lucasfilm.
Prezenca globale e Disney do të zgjerohet gjithashtu, me blerjen e aktiveve satelitore ndërkombëtare të Fox, përfshirë Star TV në Azi, ofruesin me pagesë në Europë, Sky Plc si dhe të drejta për sportin në shumë vende. Kjo do ta bëjë Disney një konkurrent të plotë përballë Amazon dhe Netflix.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.