Zgjerohet skandali i Facebook – Firma vlerëson se janë ndikuar të dhënat e 87 milionë përdoruesve
Facebook deklaroi këtë javë se informacionet personale të mbi 87 milionë përdoruesve, kryesisht në SHBA (70.6 mln), mund të jenë përdorur në mënyrë të padrejtë nga firma britanike Cambridge Analytica, duke rritur vlerësimin fillestar prej 50 milionë.
Mark Zuckerberg tha se Facebook nuk ka parë ndonjë ndikim të madh te përdoruesit apo te reklamuesit pas skandalit, megjithatë shtoi se nuk është gjë e mirë nëse njerëzit janë të pakënaqur me kompaninë.
Ai tha se e pranon fajin për daljen e të dhënave, që ka irrituar përdoruesit, reklamuesit dhe ligjvënësit, por shtoi se ai është ende personi i duhur për të drejtuar kompaninë që ka themeluar.
Zuckerberg tha se nuk është në dijeni të ndonjë diskutimi në bordin e drejtuesve mbi largimin e tij. Ai shtoi se nuk ka pushuar askënd nga puna prej skandalit dhe se nuk planifikon ta bëjë.
Zuckerberg do të dëshmojë mbi këtë çështje javën e ardhshme në 2 seanca dëgjimore në Kongres.
Nga ana tjetër, firma britanike publikoi në Twitter se nuk ka marrë të dhëna në më shumë se 30 milionë përdorues. Aksionet e Facebook kanë rënë me më shumë se 16% që prej skandalit.
Zuckerberg tha se Facebook arriti në vlerësimin prej 87 milionë përdorues duke parë numrin e atyre që kanë shkarkuar një aplikacion për testimin e personalitetit të zhvilluar nga Cambridge Analytica.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.