Zgjerohet tregtia kineze – Rritje e ndjeshme gjatë Majit, suficiti me SHBA vijon “marshimin”
Tregtia e jashtme e Kinës u rrit me 4.1% në 5-mujorin e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Eksportet u rritën me 6,1% ndërsa importet me 1.8% gjatë kësaj periudhe kohore. Kjo ka bërë që suficiti tregtar i Kinës të rritet edhe më, në rreth 41 miliardë dollarë. Këto të dhëna vijnë në një kohë përplasje totale mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, pikërisht për këtë arsye. Washingtoni pretendon se Kina bën tregti të pandershme, dhe se këtë gjë e vërteton suficiti i ndjeshëm tregtar që ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vetëm gjatë muajit Maj, tregtia e jashtme e Kinës u rrit me 2.9%, me eksportet që u rritën me plot 7.7% dhe importet që ranë me 2.5%. Të dhënat e muajit Maj rezultojnë gjithashtu përtej pritshmërive të tregjeve dhe analistëve, që flisnin për një hap ndjeshëm më të ngadaltë rritje. Gjatë Majit, në mënyrë surprizë janë rritur ndjeshëm edhe eksportet e dominuar në dollarë.
Sa i përket hendekut tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë Majit ka vijuar zgjerimi. Suficiti tregtar i Kinës me SHBA është rritur në 26.89 miliardë dollarë, nga 21.01 miliardë dollarë që ishte gjatë muajit Prill, tregojnë të dhënat më të fundit nga autoritetet kineze.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.