Zgjerohet virusi kinez – Numri i vdekjeve rritet në 81. Qeveria zgjat sezonin e pushimeve
Numri i të vdekurve nga koronavirusi kinez u rrit në 81 në nisje të Javës, ndërkohë që Qeveria zgjati pushimet e Vitit të Ri dhe bizneset e mëdha qëndruan të mbyllura dhe i thanë stafit të punojnë nga shtëpia, për të parandaluar përhapjen.
Kryeministri kinez, Li Keqiang, vizitoi Vuhanin, origjinën e virusit, ndërkohë që Qeveria kërkon të konfirmojë se po reagon shpejtë.
Numri total i rasteve të konfirmuara në Kinë u rrit në 2,744 dhe thuajse gjysma e këtyre ndodhen në provincën Hubei, që ka për kryeqendër Vuhanin.
Megjithatë, ekspertët dyshojnë se numri i të infektuarve është shumë më i madh. Hong Kongu, që ka 8 raste të konfirmuara, ndaloi hyrjen e njerëzve që kanë vizituar Hubein në 14 ditët e fundit.
Të njëjtën gjë bëri edhe Macau, që ka patur 1 rast. Qyteti i Haikou në Jug të Kinës bëri të ditur se njerëzit nga Hubei do të vendosen në karantinë për 14 ditë, c’ka solli reagime nga Vuhani për diskriminim. Numri i vdekjeve në Hubei i rrit në 76, ndërkohë që 5 vdekje kanë ndodhur në vende të tjera në Kinë.
Vendet e tjera që kanë konfirmuar raste të virusit, përfshirë SHBA, Francë dhe Japoninë, nuk kanë regjistruar vdekje. Kryeministri Li Keqiang është politikani më i lartë që ka vizituar Vuhanin që prej përhapjes së Virusit.
Qeveria ka zgjatur pushimet e Vitit të Ri me 3 ditë deri më 2 Shkurt, në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e Virusit.
Koronavirusi i ri mendohet se ka nisur të përhapet në fund të vitit të kaluar në një treg të Vuhanit ku shiten në mënyrë të jashtëligjshme kafshë të egra. Shumë detaje mbi virusin janë ende të panjohura si thjeshtësia e përhapjes dhe niveli i rrezikut që mbart.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë deklaroi se periudha e inkubimit mund të zgjasë nga 1 në 14 ditë dhe mund të infektojë njerëz gjatë kësaj periudhe, diçka që SARS nuk e bënte.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.