Zhdoganimi tani kryhet online! Më pak kosto fizike e financiare për bizneset
Zhdoganimi online për bizneset është një shërbim i cili shkurton kohën dhe kostot. Nëse një biznes i plotëson kriteret për të kryer zhdoganimin online, nuk duhet të rrijë në radhë në pikat doganore për të kryer itinerarin e zhdoganimit. Sipas punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, kamioni që hyn në territorin shqiptar që në momentin e parë shkon në ambientet e operatorit. Ndërkohë, më parë ai do të duhej që të humbiste një kohë të gjatë në pikën doganore, si dhe të kishte kosto fizike dhe financiare.
Që një biznes të kryej procedurat doganore online duhet që të përfitojë statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar. Me fjalë të tjera, ky “term” është një status i lëshuar për “tregtarët me besueshmëri”, të cilët mund të përfitojnë nga shumë thjeshtime doganore. Bizneset mund ta marrin këtë status për dy shërbime që ofrohen në dogana. Kështu statusi operator ekonomik i autorizuar (ose OEA-D për thjeshtime doganore), nënkupton një operator ekonomik të autorizuar për thjeshtësime doganore. Ndërsa një OEA-S për sigurinë dhe mbrojtjen, nënkupton një operator ekonomik të autorizuar për lehtësira në kontrolle doganore. Nëse një OEA kërkon të përfitojë një thjeshtim/regjim, dogana nuk shqyrton kushtet apo kriteret. Ky status mund të përdoret edhe me shtetet e CEFTA-s, por me kush që palët të informojnë njëra-tjetrën në lidhje me identitetin e OEA-ve. Në fillim, ishte menduar se këtë status do ta përfitonin rreth 150 biznese në të gjithë vendin.
Kriteret që duhet të ketë një biznes për statusin OEA
Jo të gjithë bizneset mund ta përfitojnë këtë status, pasi janë disa kriteret që duhet të plotësojnë. Ligji nuk e përjashton asnjë biznes që të bëhet aplikues për këtë status, por vetëm pasi të kalojë në një sërw filtrash të sistemit doganor, do të mund që të përfitojë statusin e “besueshmërisë”. Sipas llojit të autorizimit të kërkuar, në rastin konkret, për thjeshtimet doganore aplikuesi nuk duhet të ketë kryer shkelje të rënda apo të përsëritura të legjislacionit doganor dhe rregullave tatimore. Është e domosdoshme që biznesi apo sipërmarrja të ketë një sistem menaxhimi tregtar, nëse është e nevojshme, edhe regjistra transporti, të cilat lejojnë kryerjen e kontrolleve doganore të përshtatshme. Aftësia paguese e mirë ëshët një tjetër kriter që duhet të plotësojë biznesi. Dhe, së fundi, për statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar për thjeshtimet doganore, biznesi duhet që të ketë standarde praktike dhe kompetenca profesionale (OEA-D). Kjo do të thotë që biznesi duhet të ketë një deklarues të drejtpërdrejtë që të garantojë kryerjen e operacioneve në mënyrë të saktë. Ndërsa për të përfituar statusin për standarde sigurie dhe mbrojtje të përshtatshme një biznes duhet të plotësojë këto kritere. Së pari, duhet të ketë marrë masat e duhura për sigurinë e zinxhirit tregtar. Duhet të ketë integritet fizik dhe kontroll të aksesit, të ketë personel të përgjegjshëm si dhe logjistikë të përshtatshme për trajtimin e llojeve të ndryshme të mallrave.
Si funksionon deklarimi online
Drejtori i Proceduarve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Saimir Sinani, shpjegon për revistën Scan se si funksionon deklarimi online. Një biznes i cili do të duhet që të deklarojë në doganë produktet ndjek këtë rrugë.
“Operatori ekonomik apo përfaqësuesi i tyre deklarojnë në doganë online. Plotësohet deklarata doganore online në sistem, bashkëngjisin dokumentat plotësues si fatura etj. Në momentin që kjo deklaratë depozitohet në sistem, ajo kontrollohet dhe certifikohet nga autoritetet doganore përkatës. Një procedurë e tillë nuk i kërkon biznesit që të paraqitet vetë me dokumentat pranë sporteleve doganore. Në këtë mënyrë kemi shkurtim të kohës në marrjen e këtij shërbimi, shmangien e burokracive dhe të abuzimeve apo korrupsionit. Bizneset e kanë pritur me interes këtë shërbim pasi është lehtësi në aktivitetin e tyre tregtar,” thotë Sinani.
7 biznese kryejnë deklarimin online
Zhdoganimi online është një procedurë e thjeshtuar doganore nëpërmjet së cilës një operator ekonomik mund të autorizohet për të kryer procedurat e zhdoganimit te mallrave në ambientet e tij apo në një ambient tjetër të autorizuar, pa kryer formalitetet doganore në zyrë doganore. Aktualisht, e kanë përfituar këtë thjeshtim shtatë operatorë ekonomikë, të cilët kanë plotësuar kriteret e përcaktuara. Sipas Drejtorit të Procedurave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Saimir Sinani, 6 prej kompanive që kryejnë zhdoganimin në ambientet e tyre merren me import të produkteve ushqimorë dhe tekstil, ndërkohë që kompania tjetër merret me eksportin e peshkut. Kompania që merret me eksportin e peshkut është dhe kompania që ka përfitimin më të madh nga zhdoganimi online. Sipas përfaqësuesve të kësaj kompanie, kjo procedurë e thjeshtuar ka arritur që të eliminojë në maksimum abuzimin me të cilin ndesheshin më parë bizneset në pikat doganore.
“Përveç se na është shkurtuar koha fizike që prisnim në sportelet doganore, kemi edhe një benefit shumë të madh sa i përket kostove financiare. Më parë, ishim të detyruar që të “jepnim kafe” për të mbaruar punë sa më parë. Tashmë, na mjafton vetëm të plotësojmë deklaratën online bashkangjisim dhe dokumentat plotësues dhe vijojmë punën tonë,” thotë ai.
Deri në maj 2018, janë 7 kompani të cilat kanë plotësuar kriteret për të përfituar statusin e biznesit të besuar, ndërkohë që kanë shprehur interes edhe katër kompani të tjera. Sipas burimeve nga doganat katër kompanitë që kanë shprehur interes për përfitimin e statusit të operatorit ekonomik të autorizuar operojnë në tregun e fruta-perimeve.
Zhdoganimi online për përfaqësuesen e “Marketing &Distribution” Manjola Seferi, fillimisht është përkthyer në kursim parash. Sipas Seferit, një deklaratë doganore kushtonte 2500 lekë ndërkohë që kompanisë së saj i duheshin 7 të tilla në ditë.
“Si fillim, kemi kursyer parë pasi vetëm një deklaratë kushtonte 2500 lekë. Në të njëjtën kohë kemi kursyer edhe personelin që na duhej të kishim në dogana për të kryer të gjitha veprimet me dokumentacionin. Minimumi duheshin dy veta, tashmë kemi vetëm një individ që i kryen të gjitha procedurat nga zyra apo nga shtëpia në çdo kohë,” thotë ajo.
Sipas saj, është sistemi ai që përzgjedh në bazë të dokumentave se ku do të kanalizohet produkti që është për zhdoganim në bazë të rrezikshmërisë që paraqet.
“Kjo ka bërë që të shmangen kontaktet me doganierët, e në të njëjtën kohë malli të niset drejt destinacionit të tij në bazë të ngjyrës që është nisur deklarata nga dogana. Shmangia e kontaktit me doganierin na ka kursyer kohë dhe na ruan nga korrupsioni. Punonjësit tonë i duhen vetëm 10 minuta kohë për të plotësuar deklaratën doganore. Pasi sistemi kthen përgjigje ne vijojmë procedurat e shkarkimit. Një të mirë që ka zhdoganim online është edhe shmangia e kopjeve të dokumentacionit pasi ato dërgohen online dhe biznesi ruan origjinalin në arkivën e vetë,” thotë zj.Seferi.
Analiza e riskut, kanali i kuq, blu, i verdhë dhe jeshil
Analiza e riskut është një sistem që përdorin doganat për të vendosur kritere të caktuara për mallra të caktuar ose për kompani të caktuara, në varësi të problematikave që përcjellin dhe shkallës së rrezikshmërisë së tyre. Saimir Sinani shpjegon se doganat kanalizojnë mallrat për kontrolle në disa kanale. Kështu, kanali i kuq është për mallrat me rrezikshmëri të lartë dhe kërkon kontroll fizik për mallrat në mënyra të ndryshme, me kontroll të plotë ose të pjesshëm. Një tjetër kanal është ai i verdhë që ka një shkallë më të ulët të rrezikshmërisë se mallrat që futen në kanalin e kuq. Mallrat e kanalit të verdhë kontrollohen për dokumentacionin e paraqitur dhe për metodën e vlerësimit doganor. Së fundmi, është aplikuar edhe kanali blu. Kjo do të thotë se këto mallra kontrollohen më vonë brenda një afati tre vjeçar. Por është ndërtuar dhe një sektor tjetër për funksionimin e kanalit blu i cili i kontrollon deklaratat brenda pesë ditëve nga hedhja e mallrave në qarkullim.
Kjo do të thotë se mund të rivlerësohen pavarësisht çmimit që kanë paraqitur në deklarim, ku për çdo diferencë bëhen plotësimet e nevojshme. Një tjetër kanal është ai jeshil në të cilin përfshihen të gjitha ato mallra të cilat nuk kanë nevojë të paraqiten për kontroll. Por kjo nuk e heq mundësin që herë pas here këto mallra të bëhen pjesë e analizës së riskut dhe të ndryshojnë dhe destiancionin e kanalit. Mallrat që përfshihen në kanalin jeshil janë ato marra të cilat nuk kanë rrezikshmëri për sigurinë e konsumatorit apo për vjeljen e detyrimeve doganore. Kryesisht kanali jeshil përdoret për të lehtësuar punën e kompanive të cilat kanë një besueshmëri të lartë në sistemin doganor.
Nga Entela Barjamaj/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.