Nga euroizimi i plotë te deeuroizimi
Ersuin Shehu
Rreth një dekadë më parë, debati “i modës” kur flitej për valuta ishte euroizimi i plotë. Më shumë se një herë, ekspertët kanë ngritur idenë e një euroizimi të plotë të ekonomisë shqiptare, qoftë edhe të njëanshëm, në shembullin e Malit të Zi apo Kosovës. Diskutimi kishte në themel euroizimin e lartë dhe të shpejtë të ekonomisë që në gjysmën e parë të viteve 2000 dhe varësinë e lartë të ekonomisë shqiptare ndaj Bashkimit Europian dhe Eurozonës, përmes kanaleve ekonomike, tregtare dhe financiare.
Kjo rrymë mendimi sugjeronte që problemi i dy monedhave paralele në ekonomi mund të zgjidhej me adoptimin e plotë të euros dhe heqjen dorë nga leku para hyrjes në Bashkimin Europian. Gradualisht, fryma e përkrahjes së euroizimit total u zbeh, edhe për shkak të krizës ekonomike dhe rreziqeve serioze që iu kanosen ( dhe ende po i kanosen) monedhës së përbashkët europiane. Kriza e borxhit në Greqi dhe vende të tjera të Eurozonës, e pasuar nga një valë politike në rritje e aniteuropianizmit, uli besimin dhe rriti skepticizmin drejt euros.
Tashmë, pakkush flet për euroizim të parakohshëm dhe të njëanshëm. Përkundrazi, termi i risjellë në qendër të vëmendjes nga Banka e Shqipërisë është deeuroizimi. Pritet që Banka Qendrore, në bashkëpunim me qeverinë, të ndërmarrin një strategji për uljen e përdorimit të euros në ekonomi. Kriza duket se i dha të drejtë Bankës së Shqipërisë, por, edhe Bankës Qendrore Europiane, e cila gjithmonë ka mbështetur idenë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të forcojnë monedhat e tyre dhe të shmangin një kalim të parakohshëm në euro. Ndonëse nuk ka ende vendime për masa konkrete, ato janë pak a shumë të njohura, qoftë në nivel teorik, qoftë mbështetur në përvojën e vendeve të tjera.
Qëllimi për uljen e përdorimit të euros është i kuptueshëm, në këndvështrimin e efikasitetit të politikës monetare dhe ruajtjes së stabilitetit financiar. Në një sistem financiar ku ende 60% e portofolit të kredisë është në euro, ndikimi i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë kufizohet ndjeshëm. Përdorimi i lartë i euros e ekspozon ekonominë ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, që në Shqipëri mbështetet në një regjim tregu të lirë. Ndaj, një përdorim më i kufizuar do të zbuste rreziqe, që, në shumë raste, janë të panevojshme. Vendosja e çmimeve në euro për transaksionet dhe kontratat e brendshme mund të kufizohet, madje ka eksperienca të vendeve që i detyrojnë shitësit t’i shpallin dhe reklamojnë çmimet vetëm në monedhën vendase.
“Megjithatë, pritshmëritë nga një platformë për uljen e euroizimit duhet të jenë realiste. Pikërisht për ata faktorë që kanë sjellë një euroizim të lartë, spontan, të ekonomisë shqiptare, një “çrrënjosje” e thellë e euros është e pamundur në kushtet e sotme. Ashtu siç euroizimi i plotë një dekadë më parë mund të kishte qenë një hap i nxituar, një deeuroizim i thellë sot tingëllon utopik”
Euroizimi nuk është thjesht një fenomen shqiptar: të gjitha vendet e rajonit, në masa të ndryshme, janë të euroizuara. Ekonomitë tona janë të varura nga Eurozona, përmes kanaleve të shumëfishta, që lidhen me tregtinë, investimet e huaja, remitancat apo praninë strategjike në sektorin financiar të grupeve bankare nga Zona Euro.
Sigurisht, vetë projekti i euros sot përballet me rreziqe të mëdha. Krizat shtojnë pakënaqësinë popullore dhe forcojnë grupimet e ekstremit të majtë apo të djathtë, që e shohin Bashkimin Europian si një barrë dhe problem për shtetet përkatëse.
Megjithatë, nëse euro do t’i rezistojë valës së euroskepticizmit, ajo do të vazhdojë të jetë një faktor edhe në ekonomitë rajonale. Ashtu siç euroizimi i plotë një dekadë më parë mund të kishte qenë një hap i nxituar, një deeuroizim i thellë sot tingëllon utopik.
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.