Zhvillimet monetare në Eurozonë – Rritet huaja te familjet dhe firmat, ngadalësohet rritja e agregatit M3
Huaja drejt ekonomive familjare dhe korporatave në Eurozonë është rritur në muajin Mars, ndërsa treguesi mbi paranë në qarkullim është ngadalësuar ndjeshëm, sipas të dhënave të Bankës Qendrore Europiane.
Huadhënia drejt kompanive jo-financiare u rrit me 3.3 % në muajin Mars, krahasuar me një rritje prej 3.2% në Shkurt, ndërsa kredia te ekonomitë familjare u rrit me 3% nga 2.9%, sipas institucionit në Frankfurt.
Duke blerë 2.5 trilionë euro tituj borxhi në 3 vitet e fundit, Banka Qendrore Europiane ka arritur të ulë bindshëm kostot e huamarrjes, në përpjekje për të nxitur inflacionin në zonën e valutës së përbashkët.
Ndërkohë që programi ka rezultuar kryesisht efektiv, rritja ekonomike është ngadalësuar në muajt e fundit, duke ngritur dyshime mbi planet e bankës për të hequr stimujt monetarë, pasi ekonomia mund të ketë ende nevojë për mbështetje. Huadhënia qëndron poshtë nivelit që ka qenë përpara krizës financiare, gjë që tregon se sektori bankar ka ende nevojë për përmirësime.
Duke mbajtur një barrë të madhe të borxhit të keq, shumë banka kanë nguruar për të rritur huanë drejt ekonomisë reale, ndërkohë që përpiqen të ndreqin bilancet e tyre.
Rritja vjetore e treguesit të gjerë të ofertës së parasë, M3, që shihet si pararendës i aktivitetit ekonomik, u ngadalësua në 3.7% në Mars, nga 4.2% që ishte në muajin e kaluar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.